Kinezët e kanë zhvilluar videokamerën më të fuqishme ndonjëherë. Ajo mund ta identifikojë një person brenda një turme prej dhjetëra e mijëra njerëzve.

Kjo nuk është hera e parë që kinezët janë kampionë në teknologjinë e njohjes së fytyrës.

500 arsye për identifikim

Kamera prej 500 megapikselësh është zhvilluar nga shkencëtarët në Universitetin Fudan në bashkëpunim me Institutin optik Changchun të Akademisë së Shkencave Kineze.

Rezolucioni përmban madje pesë herë më shumë detaje sesa syri i njeriut. Ajo tejkalohet, për shembull, nga kamera prej 570 megapikselëve nga observatori kilian. Megjithatë, qëllimi i kësaj të fundit është t’i vëzhgojë galaktikat e largëta.

Teknologjia e njohjes së fytyrave bashkëpunon me përcjelljen e individëve në kohë reale dhe njohjen e ecjes, duke kontribuar kështu në rrjetin e mbikëqyrjes me anë të të cilit Kina regjistron informacione për qytetarët e saj.

Vendi më i populluar në botë i ka rreth 170 milionë kamera vëzhgimi. Në terma të thjeshtë, një në çdo 12 persona.

Lëvdata dhe kritika

Kjo “videokamerë e së ardhmes”tashmë është vlerësuar nga mediat shtetërore kineze për aplikime që do të përdoren nga institucionet kineze ushtarake dhe të sigurisë.

Siç pritej, organizatat e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar të gjithë sistemin. Ato vlerësojnë se bëhet fjalë për një shkelje të rëndë të lirive personale të njerëzve.

“Klasifikimi i qytetarëve sipas sjelljes së tyre, nga blerja në dyqane e deri tek shkrimi i tyre në internet është një mënyrë artificiale për ta krijuar një shoqëri ku nuk ka probleme. Njerëzit e klasifikuar ulët si rezultat kanë vështirësi në të gjitha aspektet e jetës. Nga punësimi e deri tek edukimi i fëmijëve të tyre”, tha Maya Wang nga Human Rights Watch.

Share.