Postin e Komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian mund ta marrë eurodeputetja kroate Dubravka Šuica. Lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht, por burime diplomatike në Bruksel thonë se zonja Šuica është pjesë e listës që do të prezantohet të martën nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

Eurodeputetja kroate, Dubravka Šuica, pritet të kandidohet në postin e Komisionerit për Zgjerimin dhe Fqinjësinë nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

Lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht, por burime diplomatike në Bruksel thonë se zonja Šuica është pjesë e listës që do të prezantohet të martën.

Pasi të prezantohet përbërja e Komisionit, duhet të merret në tërësi edhe votëbesimi i Parlamentit Europian, ndërsa më parë do të zhvillohen edhe seanca dëgjimore me të gjithë kandidatët e përzgjedhur nga zonja von der Leyen. Mandati i Komisionit të ri Europian do të fillojë zyrtarisht më 1 nëntor 2019.

Por kush është Dubravka Šuica?

Ajo është anëtare e Bashkimit Demokratik Kroat që prej vitit 1990, ndërsa nga viti 2001 deri në vitin 2009, ka shërbyer si kryebashkiake e Dubrovnikut.

Kur Kroacia u anëtarësua në Bashkimin Europian në vitin 2013, Šuica u zgjodh eurodeputete. Këtë vit ajo u zgjodh edhe nënkryetare e grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane.

Nëse kandidatura e saj konfirmohet, atëherë ky është një lajm i mirë për aspiratat e Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ndërsa në rastin e Serbisë, në disa raste Šuica ka deklaruar se nuk është realiste që Serbia të anëtarësohet brenda vitit 2025.

Në një deklaratë të bërë në maj të vitit të kaluar, ajo tha se Serbia duhet të paraqesë më herët listën e personave të zhdukur gjatë luftës si dhe të kthejë pasuritë e trashëgimisë kulturore.

Deri tani, postin e Komisionerit për Zgjerimin e ka mbajtur Johannes Hahn, i cili pritet të marrë një portofol të ri në kabinetin e ardhshëm.

Share.