Nga 811 raste të konfirmuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, të cilët janë thumbuar nga rriqrat, 336 raste janë të regjistruara në Komunën e Malishevës, ku vetëm shtatë nga to vijnë nga vendet tjera të cilët kanë kërkuar trajtim në QKMF të kësaj komune.

Kështu bën të ditur, zëdhënësi për komunikim i komunës së Malishevës, Artan Paçarizi, i cili tutje është deklaruar rreth shëndetit të personave të thumbuar nga rriqrat, për të cilët thotë se asnjë person nuk është i prekur nga virusi EHKK, gjë që tregon se të gjithë gëzojnë shëndet të mirë.

Edhe pse vazhdimisht është duke u bërë dezinsektimi kundër rriqrave në zonat e cilësuara si endemike në këtë komunë, njëri ndër problemet kryesore lidhur me ndërprerjen e përhapjes së kësaj endemie është procesi i repelimit të kafshëve, i cili parandalon bartjen e rriqrave nga fusha në shtëpi.

“Aktualisht në zonat e cilësuara si zona endemike, është duke u bërë dezinsektimi kundër rriqrave, të cilët janë bartës së virusit të etheve hemorragjike krime kongo (EHKK) dhe ky proces është duke shkuar shumë mirë. Problem mbetet procesi i repelimit të kafshëve (obligim i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës), pasi repelimi ndikon drejtpërdrejtë në ndërprerjen e ciklit të rriqrat dhe parandalon bartjen e rriqrave nga fusha në shtëpi, apo nga kafshët shtëpiake tek njeriu.

Përndryshe, numri i të thumbuarve nga rriqrat është përafërsisht i njëjtë me vitin paraprak, pasi siç e thashë më lartë, nuk është bërë repelimi as vitin e kaluar dhe as këtë vit.

Momentalisht nuk është asnjë person i prekur me EHKK, të cilët paraprakisht janë thumbuar nga rriqrat dhe natyrisht të gjithë gëzojnë shëndet të mirë”, ka thënë Paçarizi.

Ai tutje ka shtuar se ky është viti i shtatë me radhë që në këtë komunë nuk ka raste të vdekjeve dhe viti i gjashtë që nuk ka raste të infektimit me EHKK. /Tv Malisheva

Share.