Cilësia e ajrit vazhdon të jetë jo e shëndetshme edhe në këto orë të mbrëmjes në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Monitorimi i ajrit bëhet përmes  matësve të vendosur në katër pika të ndryshme në kryeqytet.

Monitoruesi i cilësisë së ajrit mat grimcat në ajër në Prishtinë çdo orë, duke përfshirë pluhurin, baltën, blozën, tymin dhe pikat e lëngshme.

Grimca të tilla mund të jetë rezultat i lëshimit të gazrave nga automjetet dhe termocentralet, nga djegia e qymyrit apo e drurit, apo ndodhi të drejtpërdrejta si zjarret në maje dhe mund të mbetet pezull në ajër për periudha të gjata kohore.

Grimcat e kësaj madhësie, rreth 1/30 të diametrit të mesatares së fijes së flokut të njeriut, përbëjnë rrezikun më të madh për shëndetin. Studimet shkencore kanë lidhur ndotjen afatgjatë prej grimcave, veçanërisht nga grimcat e imta, me probleme të mëdha të shëndetit, si sëmundje të zemrës dhe të mushkërive.

Ndotja e ajrit shkakton 9 milionë vdekje në botë çdo vit, e cila është e barabartë me një të katërtën e vdekjeve totale.

Globalisht, vdekshmëria për shkak të ndotjes së ajrit arrin deri në 120 vdekje në 100,000 banorë, ndërsa në nivel evropian ky numër arrin deri në 133 vdekje në 100,000 banorë.

Në Prishtinë, të dhënat e siguruara nga Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) tregojnë se ajri është “i pashëndetshëm” 50% të kohës, “shumë i pashëndetshëm” 20% të kohës dhe “i rrezikshëm” 5% të kohës .

Rreziqet e ndotjes së ajrit për shëndetin janë kryesisht të lidhura me përqendrimet e PM, veçanërisht PM2.5, që është klasifikuar si kancerogjen nga Agjencia Ndërkombëtare Kërkimore mbi Kancerin (IARC).

PM2.5 depërtojnë thellë në mushkëri dhe dihet që kontribuojnë në sëmundjet e frymëmarrjes, sëmundjet kardiovaskulare dhe kancerin e mushkërive.

Në sëmundjet e mushkërive kontribuon edhe dyoksidi i karbonit, njëjtë si edhe ozoni, që ulin funksionimin e mushkërive dhe acarojnë astmën.

Nga ana tjetër, ndotja e ajrit është një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve të parakohshme, sëmundjeve tjera të ndryshme, sulmeve në tru, sëmundjes së mushkërive, kancerit, si dhe astmës.

Ekspozimi i grave ose shtatzënave në ajër të ndotur gjithashtu ndikon në fertilitetin dhe respektivisht, shëndetin e të sapolindurve dhe fëmijëve. Ekzistojnë gjithashtu prova se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit lidhet edhe me diabetin e tipit 2, mbipeshën, inflamacionet sistematike, plakjen, sëmundjen e Alzheimerit dhe çmendurinë.

Në Kosovë është kryer një studim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për ekspozimin ndaj PM, me qëllim të llogaritjes së efekteve shëndetësore ndaj popullsisë.

Ky studim ka treguar se nga 1,000 vdekje totale në Kosovë, 6 janë si pasojë e ndotjes së ajrit.

Për Prishtinën, numrat e këtij studimi përputhen edhe me numrin e personave të pranuar çdo muaj në spital me sëmundje kardiovaskulare, për shkak të përqendrimit të PM në ajër.

Studimi shfaq se pranimet në spitale janë më të larta gjatë dimrit, që është gjithashtu stina e emetimit më të lartë të PM-ve.

Ndotja e ajrit në Kosovë vlerësohet të jetë shkaktarja e 835 vdekjeve të parakohshme në vit.

Efektet tjera të ndotjes së ajrit në Kosovë përfshijnë sëmundjet akute të frymëmarrjes, përkeqësimin e gjendjes së pacientëve që vuajnë nga zemra dhe astma, kancerin e shkaktuar direkt nga ndotësit, nxitjen e acarimeve të syrit apo hundës, si dhe stresin dhe humbjen e mirëqenies së përgjithshme.

Share.