Malishevë, 31 tetor
Kuvendi i Komunës së Malishevës, sot ka mbajtur mbledhjen e dhjetë të rregullt për këtë vit, ku në mesin e shumë pikave të rendit të ditës, ishin edhe shqyrtimi i raporteve të drejtorive komunale, përkatësisht janë shqyrtuar raportet e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa dhe ai Drejtorisë për Arsim dhe Edukim.
Në këtë mbledhje, KK i Malishevës, gjithashtu ka rishqyrtuar katër vendime të saj, dhe i ka obliguar drejtoritë përkatëse, që ato vendime ti harmonizojnë me ligjet apo rregulloret në fuqi, përkatësisht me Planin Zhvillimore Komunal.
Po ashtu në këtë mbledhje, Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka miratuar emrat e anëtarëve të Komisionit Komunal për hartimin e Rregullores për Transparencë, si dhe ka bërë zëvendësimin e një anëtari të komisionit për shqyrtimin e ankesave për emërtimet e rrugëve, si dhe i ka miratuar katër kërkesa të qytetarëve për ndërrim destinim të tokës.
Mbledhja e sotme ka filluar me zëvendësimin e anëtarit të KK të Malishevës, nga radhët e PDK-së, Ali Morina, i cili ka dhënë dorëheqje pas punësimit në një sektor që ja pamundëson të qenit anëtarë i kuvendit. Morina është zëvendësuar nga Kushtrim Zogaj, i cili ka dhënë betimin e anëtarit të kuvendit dhe i cili nga sot edhe zyrtarisht është anëtar në KK të Malishevës

Share.