Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot (e mërkurë) se nuk është në dijeni që Bashkimi Evropian ka vërejtje për dy nga gjashtë kushtet e vendosura nga ai për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse një gjë të tillë e ka deklaruar ditë më parë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Kreu i ekzekutivit tha se kushtet e tij sigurojnë që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën.
“Nuk jam në dijeni për ndonjë vërejtje të tillë për dy nga gjashtë kushtet. Duhet ta takoj dhe të bisedoj me të dhe ta pyes për komunikimin që ka pasur me vendet e BE-së, ato gjashtë kushte janë të tilla të cilët mundësojnë që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të mos jetë monoetnik”, tha ai.
I pyetur se a ka pësuar ndryshime drafti i planit i BE-së, shefi i ekzekutivit nuk preferoi të flas për detaje. Nuk është e nevojshme për të treguar detajet e kësaj çështje.
Ndër të tjera Kurti përmendi vërejtjet që ka bërë dhe se nuk duhet të flas për hollësitë sepse nuk është e përshtatshme.
“Kam dhënë vërejtjet dhe komentet e mia dhe nuk është e përshtatshme të flas për hollësitë e detajet por ajo që mund të konfirmoj është që ne e kemi konsideruar se ky propozim është i pranueshëm në kuptimin se është bazë e mirë për diskutim”, tha ai.
Këto komente ai i bëri pas pjesëmarrjes së tij në ceremoninë solemne në shënimin e 53-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës.
/TV Malisheva