Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash tha se situata e sigurisë në Kosovë tani është më e qetë, por ende mbetet e brishtë.
Ulutash tha se “pas rritjes së tensioneve në muajt e fundit, NATO-ja ka dislokuar 1000 ushtarë shtesë dhe armë më të rënda”.
Tutje, ai ka thënë se misioni i Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë gjithmonë e ka dëshmuar aftësinë për të trajtuar çdo sfidë dhe për të vazhduar zbatimin e mandatit të tij të OKB-së, plotësisht dhe në mënyrë të paanshme.
“Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës administrative. Në përgjithësi, situata e sigurisë tani është më e qetë, por mbetet e brishtë. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni i KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, tha ai për Kosovo Online.
“ KFOR-i vazhdon të veprojë si reaguesi i tretë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX). NATO është fuqishëm e përkushtuar për sigurinë në Kosovë dhe KFOR-i do të qëndrojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, deklaroi ai.
Ulutash mes tjerash ka deklaruar se dialogu Kosovë- Serbi është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit.
“KFOR-i vazhdon të krijojë një kornizë sigurie, e cila është e nevojshme që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përparojë me ndërmjetësimin e BE-së, që është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në të mirë të të gjitha komuniteteve dhe stabilitetit rajonal”, theksoi komandanti i KFOR-it.