Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, sot ka përpiluar listën e dokumentacionit për hetim.

Kryesuesi i Komisionit, Hajdar Beqa ka thënë se Komisioni do t’i hetojë të gjitha dokumentet e nevojshme qofshin ato vendime ose kontrata nga viti 2006 e deri më tash në sektorin e energjisë.

Deputeti Beqa theksoi se kërkojnë të gjitha vendime e marra në këtë periudhë nga qeveria, kuvendi, ZRRE-ja, KEK-u dhe KOSTT-i.

“Personat fizikë, juridikë, privatë ose publikë janë të obliguar t’i dorëzojnë Komisionit të gjithë dokumentacionin ose provat tjera materiale që kërkohen nga ana e Komisionit. Në rast të refuzimit ose vonesës së paarsyeshme të dorëzimit të provave, komisioni kërkon nga gjykatat kompetente që ajo të sigurojë provat përkatëse të kërkuara nga Komisioni Hetimor. Propozimi im është që të kërkojmë të gjitha vendimet nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi, nga viti 2006 deri më 2021, që kanë lidhshmëri me sistemin elektro-energjetik. Po ashtu, të gjitha vendimet e bordit dhe menaxhmentit të ZRRE-se, KEK-ut, KOSTT-it, që nga viti 2006-2022. Për shkak të volumit, kërkoj që dokumentacioni të sjellët në formë elektronike”, tha Beqa.

Përveç vendimeve dhe kontratave të ndryshme nga qeveria dhe kuvendi, zëvendëskryesuesi i Komisionit, deputeti Armend Muja ka kërkuar nga Kuvendi transkriptin e deklaratave në seanca parlamentare të deputetes së LDK-së Hykmete Bajrami, lidhur siç tha ai me një deklaratë specifike për rastin “Bilfinger”.

“Unë kam një listë të dokumenteve specifike. Në listën e parë të dokumenteve, ne kërkojmë nga institucionet, kategoria e parë Kuvendi i Kosovës, transkripti i Kuvendit të Kosovës, deklaratat e deputetes Hykmete Bajrami. Dy, transkripti i diskutimeve në Kuvend mbi shpronësimet në Hade dhe Shipitullë. Tre, transkripti i diskutimit të planit të privatizimit të KEDS në Komisionin parlamentar për ekonomi, dhe diskutimet në kuvend në lidhje me privatizimin e KEDS. Gjithashtu vendimi i Kuvendit në lidhje me privatizimin e KEDS më 2008-2010. Ndërsa, nga Qeveria e Kosovës i kërkojmë këto dokumente, vendimin e Qeverisë së Kosovës mbi shpronësimin në Hade dhe Shipitullë. Kontrata e shitblerjes të distribucionit të KEDS me të gjitha anekset e saj… Vendimi i qeverisë për alokimin e mjeteve për mbulimin e kostos së energjisë për veriun të vitit 2018, vendimet e qeverisë në lidhje me subvencionimin e sektorit të energjisë 2006-2022”, theksoi Muja.

Deputeti nga Vetëvendosja po ashtu ka kërkuar dokumente edhe nga KEDS-KESCO lidhur me faturimin përgjatë vitit 2012 deri më 2022 dhe listën e të gjithë konsumatorëve së bashku me vlerën faturës të secilit muaj për periudhën 2012-2022.

“Nga KEDS-KESCO, ne i kërkojmë këto dokumente: faturimi përgjatë vitit 2012 deri më 2022. Lista e të gjithë konsumatorëve së bashku me vlerën faturës të secilit muaj për periudhën 2012-2022. Raport i konsumit të përgjithshëm për periudhën 2006-2022. Raport i detajuar i importit dhe eksportit të energjisë elektrike nga KEDS dhe KESCO për periudhën 2006-2022. Të gjitha kontratat për shitblerje të energjisë elektrike nga KEDS dhe KESCO për periudhën 2012-2022. Të gjitha transaksionet për blerjen dhe shitjen e energjisë elektrike gjatë periudhës 2012-2022”, theksoi ai.

Në fillim të muajt maj, me iniciativë të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Kuvendi i Kosovës ka themeluar komisionin hetimor që do të ketë objekt hetimi procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë duke filluar nga 2006 deri më 2022 në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike./TV Malisheva

Share.