Gjykata Kushtetuese në Shqipëri ka filluar shqyrtimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjes së kompetencave mes kryeministrit dhe presidentit lidhur me interpretimin e nenit kushtetues për emërimin dhe shkarkimin e ministrave, transmeton TV Malisheva.

Edlira Kokona, përfaqësuese e Këshillit të Ministrave shprehet se:

“Presidenti refuzoi të emërojë kandidatin e propozuar nga kryeministri jashtë çdo kompetence kushtetuese duke cenuar parimet e parlamentarizmit. Kërkesa ka si qëllim rregullimin e mosmarrëveshjes së krijuar si rezultat i keqinterpretimit të Kushtetutës nga Presidenti. Në rastin konkret jemi në plotësim të të gjitha kritereve. Presidenti i Republikës refuzon, kryen veprime verifikimi, që nuk janë kompetencë e tij, por kompetencë që i përket kuvendit.

Mundësia e paraqitjes së një ndryshimi të ri i kabinetit është atribut i kryeministrit, që e ka për gjithë periudhën 4-vjeçare të qëndrimit të tij në detyrë. Kryeministri nuk iu përgjigj refuzimit të dekretimit të parë duke reflektuar.

Kryerja e veprimeve të verifikimit drejtuar një seri institucionesh dhe dhënia e argumenteve që kanë të bëjnë në themel me cilësitë e kandidatit, atribute të Kuvendit, presidenti jo vetëm që nuk ushtroi detyrën e tij kushtetues, por mori atribute të institucioneve të tjera kushtetuese.

Detyra e presidentit nuk mund të shtrihet në analizimin e cilësive të kandidatit. Presidenti nuk ka tagër të bëjë këtë vlerësim, por as tagër për të refuzuar.”

Prej katër muajsh Gjykata Kushtetuese është rikthyer në funksionalitet, por paditë që ishin rrjedhojë e konfliktit politik ishin lënë mënjanë, deri në përfundimin e fushatës elektorale.

Tashmë, me mbylljen e zgjedhjeve parlamentare, shtatë anëtarët kushtetues kanë filluar me shqyrtimin e këtyre padive.

Edhe pse çështja më e nxehtë është ajo për zgjedhjet vendore të vitit 2019, nëpërmjet të cilës opozita synon të shpallë antikushtetues këtë proces zgjedhor, Gjykata ka nisur të shqyrtojë fillimisht betejën mes Ramës dhe Metës për kompetencat për dekretimin e ministrave.

Në muajin qershor, deri më tani janë rezervuar dy përballje të tjera. Njëra është padia e Presidentit për çështjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa tjetra, është padia kundër herësit zgjedhor për çështjen e listave të hapura të depozituar nga Myslim Murrizi e Astrit Patozi./A2

Share.