Komuna e Malishevës ka njoftuar se buxheti i kësaj komune nuk është alokuar ende nga Qeveria Kurti, ndërsa kanë njoftuar se kjo po bëhet qëllimisht në mënyrë që paratë e ndara në projekte të shkojnë në suficit, shkruan TV Malisheva.
Komuna e Malishevës i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të veprojë menjëherë në zhbllokimin e kësaj situate, ngase, sipas tyre, mosrealizimi i projekteve do të ndikojë drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik në Malishevë.
Ata kanë thënë se në asnjë rast ministri Hekuran Murati, nuk ka shprehur gatishmëri për bashkëpunm. /TV Malisheva
Komunikata e plotë:
Të nderuara medie, të nderuar qytetarë të Komunës së Malishevës, përmes kësaj komunikate, dëshirojmë të ju informojmë se Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, as tani kur jemi në mes të muajit të gjashtë të vitit, komunës sonë, nuk ja ka alokuar buxhetin për investime kapitale për këtë vit.
Po ashtu, dëshirojmë të ju bëjmë me dije se mos alokimi i buxhetit, do të sjellë probleme serioze për komunën tonë, pasi do të ketë vështirësi të mëdha në realizimin e planifikimeve për investime kapitale për këtë vit, sepse pa alokim të buxhetit, nuk mund të zhvillohet asnjë procedurë për realizimin e tyre.
Ne e konsiderojmë veprim të papërgjegjshëm të ministrisë përkatëse dhe ministrit Hekuran Murati, pasi nuk ka kuptim që lënda e buxhetit të një komune, të qëndroj me muaj të tërë në “shqyrtim” dhe të mos derdhen mjetet për investime kapitale.
Kërkojmë nga kryeministri i vendit, z.Kurti, që të merr veprime të menjëhershme për zhbllokimin e kësaj situate të krijuar nga ana e kësaj ministrie dhe ministrit Murati, dhe mjetet për investime të alokohen për Komunën e Malishevës. Nëse kjo situatë vazhdon edhe për disa ditë, atëherë, është e pamundur të realizohen projektet, dhe ne e konsiderojmë veprim me prapavijë nga ana e ministrisë, pasi përmes këtij veprimi, po tentohet që qëllimshëm të ndodh kjo gjë, dhe mjetet e ndara për komunën tonë të shkojnë në suficit.
Mos realizimi i projekteve, që bëhet fjalë për rreth tre milion euro, do të kenë ndikim të drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik në Malishevë. Edhe ashtu, shumë projekte nga niveli qendrorë për Malishevën, janë ndalur dhe disa tjera në realizim e sipër, gjithashtu janë ndalur, e tani është e pamundur që edhe projektet komunale të realizohen, pasi MFPT ende nuk po alokon buxhetin për investime kapitale për Komunën e Malishevës.
Për sqarimin e drejtë të opinionit, Komuna e Malishevës, ka dorëzuar lëndën më 13.04.2021 për bartjen e mjeteve nga kategoria e rezervës në projekte kapitale. Gjatë kësaj periudhe, Komuna e Malishevës disa herë e ka kontaktuar zyrën e ministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, por në asnjë rast ministri Murati, nuk ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim, dhe përgjigjja e vetme, që tash e kohë të gjatë na jepet nga kabineti ministrit, është kjo: “lënda është duke u shqyrtuar”! Ministri i kësaj ministrie, asnjëherë nuk ka shprehur gatishmërinë e tij që personalisht ta sqaroj situatën e krijuar, dhe as ministria asnjëherë nuk është përgjigjur me shkrim, pavarësisht e-maileve që drejtoria i ka dërguar ministrisë.
Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa
Valon Mazreku