Komuna e Malishevës ka filluar shpërndarjen e pakove ushqimore për 500 familje në nevojë të cilat jetojnë në gjendje jo të mirë socio-ekonomike.
Në shpërndarjen e këtyre ndihmave ka marrë pjesë edhe i pari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili ka thënë se kjo formë e ndihmës për familjet në nevojë, do të jetë e vazhdueshme.
“Sot kemi filluar shpërndarjen e pakove ushqimore për rreth 500 familje të komunës së Malishevës, të cilat po ballafaqohen me vështirësi ekonomike e sociale, në këtë kohë dimri dhe si pasojë e ballafaqimit me pandeminë. Vullneti dhe gatishmëria e qeverisjes sonë komunale është që këtyre familjeve t’u qëndrojmë pranë dhe përkrahja të jetë e vazhdueshme, në çdo kohë e rrethanë.”, tha kryetari Kastrati.
Në këtë fazë të shpërndarjes së pakove ushqimore, kanë përfituar 500 familje në nevojë, të cilat kanë marrë një pako ushqimore, miell dhe produkte higjienike./TV Malisheva