Komuna e Malishevës, në kuadër të përkrahjes në sektorin e bujqësisë, sot ka filluar shpërndarjen e mjeteve konkretizuese për 172 bletar.
Kjo përkrahje bëhet në kuadër të realizimit të projektit të drejtorisë komunale për bujqësi, për përkrahje me koshere dhe mjete tjera për bletarët. Në fillimin e shpërndarjes së mjeteve, ishin të pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori komunal për bujqësi, Murat Hoxha.
“Puna e juaj është ajo që na shtynë neve t’iu përkrahim dhe kjo përkrahje nuk do të mungoj asnjëherë për ata që punojnë, e ndër ata që punojnë shumë dhe bëjnë një punë shumë fisnike, siç është bletaria, jeni ju, prandaj ne ju përkrahim në vazhdimësi që të merreni me bletari”, tha ndër të tjerash kryetari Begaj, me rastise fillimit të shpërndarjes së një pjese të mjeteve konkretizuese për bletarët.
Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Murat Hoxha, tha se me këtë projekt janë përkrahur 172 bletar të Komunës dhe kjo përkrahje do të jetë e vazhdueshme për këtë sektor shumë të rëndësishëm. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se kjo përkrahje ka një shumë prej 26 400 euro, dhe mundësohet nga buxheti i Komunës së Malishevës. /TV Malisheva