Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kryetarët e komunave të Kosovës të hënën. Në takimin koordinues, kreu qeveritar, tha se qeverisja lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror.

Kjo, sipas tij, dëshmohet edhe me buxhetin 742 milionësh dedikuar komunave për vitin e ardhshëm, i cili tha se është 200 milionë euro më shumë se ish-qeveria e kaluar.

Mirëpo, komunat u ankuan karshi qeverisë për moszgjidhje të problemeve, derisa edhe listuan shtatë kërkesa për ekzekutivin.

Kurti, i cili ishte i shoqëruar me disa nga ministrat nga kabineti qeveritar, tha se janë të angazhuar për t’iu ndihmuar nivelit lokal.

“Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin në vlerën e 742 milionë euro, që i bie gati 200 milionë euro më shumë për komuna gjatë kësaj qeverisjes, sesa asaj të mëparshme. Kjo i bie se qeverisja lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror, por edhe financat që presin të konkretizohen përmes një bashkëpunimi të të gjithë neve”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), njëherësh kryetar i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se shumë shqetësime të nivelit lokal s’po gjejnë mbështetje nga qeveria.

Ai theksoi se kundërshtojnë bartjen e përgjegjësisë së faljes së tatimit në pronë te komunat, pasi sipas tij cenohen të hyrat vetanake nga të cilat varen në masë të madhe projektet kapitale në komuna.

“Problemet janë aty të pazgjidhura dhe të tilla do të mbesin pa mbështetjen tuaj. Nisur që nga çështja tejet e diskutueshme e tatimit në pronë, si dhe mundësia e faljes së 100 eurove përmes ligjit. Komunat janë gjetur në situata të pakëndshme karshi qytetarëve, pasi dihet se një kompetencë e tillë nuk takon atyre. Përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës më 30 janar të vitit 2023 iu jemi drejtuar juve kryeministër me kërkesën për pezullimin e vendimit 2022 për rivlerësimin e pronave, duke kërkuar që pagesa për tatimin në pronë të paguhet nga qytetarët sikur në vitin 2022. Në këtë rast përveç qytetarëve edhe ne drejtuesit e institucioneve jemi në pritje të veprimeve mbi këtë temë tejet të rëndësishme për ne si institucione lokale. Në këtë kuptim, kryetarët e komunave të Kosovës përmes Asociacionit kundërshtojnë bartjen e përgjegjësisë së faljes së tatimit në pronë tek komunat, pasi kjo cenon të hyrat vetanake nga të cilat varen në masë të madhe projektet kapitale në komuna”, tha ai.

Krahas kësaj, Aliu kërkoi të zhbllokohen të hyrat vetanake të komunave.

Sa i përket të hyrave vetanake janë të theksuara pakënaqësitë e komunave në raport me këtë temë, për të cilat kemi reaguar në mënyrë urgjente përmes shkresës më 17 mars 2023. Përmes së cilës kemi kërkuar që të hyrat vetanake të komunave t’iu barten komunave në pajtim me vendimmarrjen e Kuvendit, të gjitha fondet e pashpenzuara të barten tek buxhetet përkatëse komunale. Kujtojmë se një gjë e tillë është plotësisht në harmoni ligjore dhe në kuadër të kompetencave të nivelit lokal”, theksoi Aliu.

Derisa përmendi si kërkesë edhe rikthimin e garantit të katërt, pronat komunale që menaxhohen nga AKP-ja dhe barazinë financiare për komunat që të ketë ndarje të drejtë dhe barabartë.

Kjo është mbledhja e katërt e Kurtit me kryetarët e komunave të Kosovës, derisa morën pjesë edhe kryetarët e sapo zgjedhur në katër komunat veriore

Ndërkaq, kryeministri Kurti para kryetarëve të komunave përmendi edhe kandidimin e Kosovës për lojërat mesdhetare 2030, ku tha se koncepti i organizimit të tyre parasheh shtrirje në tërë territorin e Kosovës, veçmas në shtatë komunat më të mëdha të vendit.

“Lojërat mesdhetare nuk janë një projekt vetëm i sektorit të sportit. Ato duhet të shikohen si projekt zhvillimor shtetëror dhe mobilitet për rininë tonë. Konceptimi i organizmit të këtyre lojërave në Kosovë parasheh shtirje e organizimit në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë investimin dhe mobilizimin në shumë komuna, por me theks të veçantë në shtatë komunat në vend”, theksoi Kurti.

Ditëve në vazhdim, ekipi koordinues i kandidaturës së Kosovës, do t’i kontaktojë dhe do t’i informojë më shumë kryetarët e komunave për konceptin dhe për detajet e tjera të ndërlidhura me projektin.

/TV Malisheva

Share.