Sot u mbajt konferenca parlamentare ndërkombëtare “E ardhmja e transportit”, e cila u organizua nga Komisioni Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim i Kuvendit të Kosovës.

Në këtë konferencë u diskutua investimi në infrastrukturën e gjelbër.

Kryetarja e komisionit parlamentar të mjedisit në Kosovë, Fitore Pacolli Dalipi foli për ndryshimet klimatike dhe bashkëpunimin mes parlamenteve.

“Vendet e ndryshme janë duke përmirësuar qasjen e transportit e projektet në vendet europiane kanë për të na mësuar shumë. Kushtet klimatike që kanë ndryshuar, nuk janë një kërcënim i largët por një realitet e këto ndryshime na prekin pavarësisht lokacionit. Në Kosovë së fundmi kemi pasur edhe ndryshimet klimatike të ndryshme, kemi qenë dëshmitarë dhe interesohemi të reduktojmë karbonin për ta bërë Kosovën vend të qëndrueshëm dhe të gatshëm për tu ballafaquar me të gjitha sfidat që dalin nga këto ndryshime klimatike”, tha ajo.

“Konferencat si kjo do të na ofrojë një platformë ideale për të pasur bashkëpunim mes parlamenteve, meqë siç e dimë parlamentet nuk bashkëpunojnë aq shumë sa qeveritë, prandaj kjo është një ide për t’i bashkuar parlamentet”, shtoi ajo.

Ndërkaq, ministri i mjedisit dhe infrastrukturës, Liburn Aliu foli për investimet në rritjen ekonomike.

“Investimi në infrastrukturë është themeli i rritjes ekonomike të vendit tonë duke i kanalizuar resurset për t’i përmirësuar rrugët dhe urat tona, që të kemi inovacione më shumë, këto investime janë themel për një të ardhme më të qëndrueshme duke siguruar qetësi të jetesës për të gjithë qytetarët tanë.

Qeveria e Kosovës dëshiron të ndërtojë rrjetin e hekurudhave për t’i ndërlidhur me rrjetin më të gjerë evropian, që do të ndihmojë në shkëmbimin e mallrave dhe rritjen ekonomike.

Këto hekurudha do të përmirësojnë edhe sigurinë në rrugë”, tha ai.

Përveç këtyre, fjalën e mori shefi i FES në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Peter Hurrelbrink, i cili tregoi se i di problemet e udhëtimit dhe bashkëpunimin në këto fusha, për të përmirësuar infrastrukturën.

“Unë kam udhëtuar nga Sarajeva në Prishtinë disa herë gjatë muajve të kaluar dhe di për problemet e udhëtimit dhe ne tani jemi duke e përmirësuar infrastrukturën për t’i rritur standardet e vendeve.

Unë dua që të përfshihemi në këtë temë dhe une kam udhëtuar shumë ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit, por unë varem nga vetura që nuk është ekologjike dhe nuk është e rehatshme për udhëtim.

Unë kam dashur që të punojmë në një transport publik me më shumë hekurudha dhe të kemi qytete që nuk janë të ngarkuara me trafik të veturave si rasti i Prishtinës, që ka trafik të ngarkuar”, tha ai.

/TV Malisheva

Share.