Në Klinikën Infektive nuk ka pasur shtypje të mjaftueshme në sistemin e oksigjenit. Ky është konstatimi i kompanisë “Ego Elsa” e cila ka kontratë me QKUK-në për mirëmbajtjen e sistemit të oksigjenit.

Më datën 11 korrik, 6 ditë pas vdekjes së dyshimtë të katër pacientëve në Klinikën Infektive, është bërë një vlerësim i nivelit të oksigjenit në njësinë intensive dhe repartet E dhe F të kësaj klinike të cilat furnizohen nga i njëjti rrjet.

Një dokument të shkëmbimit të email-ave ndërmjet kompanisë “Ego Elsa” dhe zyrtarëve të shërbimeve teknike të QKUK-së. Kjo kompani ka kontratë me QKUK-në nga dhjetori i vitit të kaluar për mirëmbajtjen dhe servisimin e cisternave dhe rrjetit të gypave të oksigjenit në të gjitha klinikat.

Në këtë dokument kompania njofton zyrtarët e QKUK-së se pas vlerësimit të nivelit të oksigjenit më datën 11 korrik, është konstatuar se intensiva dhe repartet E dhe F të cilat furnizohen nga i njëjti gyp, nuk kanë nivel të mjaftueshëm të shtypjes. Në dokument thuhet se sistemi i oksigjenit mund të furnizojë normalisht vetëm tre pacientë në respiratorë, ndërsa në reparte nevojiten floumetra.

“Pas kërkesës suaj për të bërë një kontrollë të kapaciteteve momentale në Klinikën Infektive të rampave kontrolluese deri tek outletet e sistemit të gazrave medicinale, ne japim një mendim në bazë të matjeve mekanike që kapaciteti i sistemit të furnizimit në Njësinë e Intensivës së bashku me repartin E dhe F, të cilat janë të lidhura në të njëjtën rampe kontrolluese për momentin furnizon normalisht me oksigjen 3 pacientë në Mjekimin Intensiv me respiratorë ndërsa reparti E dhe F me floumetra”, thuhet në këtë dokument.

Floumetri është një instrument i cili mundëson rregullimin dhe menaxhimin e nivelit të oksigjenit tek pacientët në reparte./Tv Malisheva

Share.