Një person është arrestuar në Gjakovë dje, pasi janë gjetur dhe konfiskuar 35 kilogramë lëndë narkotike, të dyshuar të jenë marihuanë.
Policia ka njoftuar se gjatë kontrollit në shtëpinë e personit të dyshuar J.B., një mashkull kosovar i lindur në vitin 1974, janë gjetur dhe konfiskuar 32 pako me lëndë narkotike, me një peshë prej 35.581 gramë, dyshohet se është marihuanë. Gjithashtu, janë gjetur dhe konfiskuar një peshore digjitale, një telefon, një makinë dhe prova të tjera të rëndësishme për rastin.
Personi i arrestuar është i akuzuar për “blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Njësia e Gjakovës kanë kryer një hetim të gjatë tre-mujor (operacioni i koduar ‘Mali’), ndaj një personi të dyshuar për përfshirje në veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge. Më 30 qershor 2023, në orët e mbrëmjes, policia ka zbatuar një plan taktik, duke ofruar mbështetje edhe njësive të anti-drogës dhe njësive të tjera të policisë së Gjakovës. Operacioni policor është zhvilluar në koordinim me organet e drejtësisë, të cilat kanë dhënë urdhër për kontroll në një lokalitet në një fshat të Gjakovës. Gjatë kontrollit, në shtëpinë e personit të dyshuar J.B., një mashkull kosovar i lindur në vitin 1974, policia ka gjetur dhe konfiskuar 32 pako me lëndë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë, me një peshë prej 35.581 gramë, si dhe një peshore digjitale, një telefon, një makinë dhe prova të tjera të rëndësishme për rastin”, njoftoi Policia.
Me vendim të prokurorit, personi i dyshuar është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.
/TV Malisheva