Kongresisti amerikan, Ritchie Torres ka deklaruar pas zhvillimeve në Ukrainë, anëtarësimi i Kosovës në NATO s’ka qenë kurrë më urgjente.

Në një letër dërguar Presidentit amerikan, Joe Biden dhe Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken të premten, kongresisti amerikan Ritchie Torres pohoi se kombi i vogël ballkanik është një aleat i ngushtë dhe besnik i SHBA-së dhe duhet t’i bashkohet aleancës si një mënyrë për të kundërshtuar ndikimin rus në rajon, shkruan New York Post.

“Më 27 shkurt, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, bëri thirrje për të përshpejtuar anëtarësimin në NATO. Për më tepër, më 3 mars, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën i bën thirrje qeverisë së tyre të fillojë negociatat për anëtarësimin në NATO. Nuk mund të pajtoheshim më shumë me këto veprime”, ka shkruar Torres.

Ai tutje thotë se derisa Rusia vazhdon të sillet si një faktor destabilizues dhe Serbia forcon marrëdhëniet e saj me Rusinë, është urgjente që Kosova ti bashkohet Aleancës Veriatlantike.

“Përderisa Rusia vazhdon të sillet si një aktor irracional dhe Serbia forcon marrëdhëniet e saj me Rusinë, është kruciale që ne të ndihmojmë aleatin tonë Kosovën për t’iu bashkuar NATO-s. Me situatën me zhvillim të shpejtë të sigurisë në Evropë, ne duhet të qëndrojmë me aleatin tonë”, thuhet në letrën e Torres.

/TV Malisheva

Share.