Ministri i Jashtëm, Galuk Konjufca deklaroi se kanë arritur që të kthejnë në Kosovë rreth 1500 qytetarë të cilët kishin aplikuar për t’u kthyer pas mbylljes së kufijve.
Në raportimin për 100 ditëshin në krye të Punëve të Jashtme, Konjufca tha se ishte përcaktuar një listë kriteresh të cilat aplikantët duhet t’i plotësonin në mënyrë që të ktheheshin me urgjencë.
Konjufca u zotua se deri në fund të këtij muaji dhe fillim të qershorit do të kthejnë edhe 740 qytetarë të tjerë.
Konjufca: Do të kthejmë edhe 740 persona
“Me urgjencë kanë dalë vetëm 1215 persona të cilët ne i kemi kthyer dhe gjithsej pra afër 1500 që kemi arritur t’i kthejmë deri tash. Deri në fund të majit dhe fillim qershorit ne zotohemi se do t’i kthejmë edhe 740 persona ose qytetarë të Republikës së Kosovës që ndodhen në këto vende të cilët kanë mbetur për arsye të ndryshme dhe ne po e vazhdojmë këtë aktivitet me atë sa po na lejojnë rrethanat dhe kapacitetet tona”, deklaroi Konjufca.
Ndryshe, në raportim, Konjufca ka thënë se ka marrë pjesë në disa samite si dhe në vazhdimësi në komunikimin me homologët dhe liderët e vendeve të tjera ka kërkuar liberalizimin e vizave si dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve./ Tv Malisheva