Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se kryeministri Hoti, ka bërë krim të madh, kur në bisedimet më Serbinë ka vendosë në tavolinë resurset shtetërore siç është Ujmani.

Ai në një konferencë për medie, ka thënë se resurset shtetërore janë të pacenueshme dhe të mbrojtura edhe me Kushtetutën e Kosovës.

“Ujmani e përmban 70 përqind të ujit tonë dhe përnjëherë një kryeministër i papërgjegjshëm siç është Hoti, u pajtua që Ujmani si resurs i Kosovës të vihet në tryezën e dialogut”.

“Resurset shtetërore edhe sipas Kushtetutës janë të pacenueshme dhe ai që cenon ato bënë një krim të madh sikur që bëri Hoti. Kryeministri  vendosi ta bëjë Kosovën pjesë të zonës së lirë ekonomikë të Serbisë, plan të cilën Vuçiqi e kishte paraqitur në vitin 2017”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij një lëshim tjetër i madh i Qeverisë së Kosovës në këtë marrëveshje është që Kosova hoqi dorë nga përpjekjet e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ai ka thënë anëtarësimi i Kosovës në këto organizata parashihet edhe më Kushtetutë.

“Nënshkrimi i Hotit në këtë marrëveshje është shkelje e Kushtetutës”.

Konjufca ka thënë se tash është koha që PDK të përkrah mocionin për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

“Këtë marrëveshje e përkrahin vetëm gjysma e LDK-së dhe Nismës, dhe në këtë moment është koha e duhur që ta kthejmë në qendër të vëmendjes mocionin  dhe ta rrëzojmë këtë Qeveri”, tha Konjufca./TV Malisheva

Share.