Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është pesimist se do të arrihet një zgjidhje për Asociacionin.
Sipas Konjufcës ajo çka është e mundshme për Kosovën për themelimin e këtij mekanizimi pa kompetenca ekzekutive, është e papranueshme për Serbinë.
“Ajo çka është e mundshme për Kosovën dhe cilat janë vijat e kuqe për Kosovën, ato janë të papranueshme për Serbinë siç duket. Prandaj kaq larg dhe të papajtueshme janë pozicionet. Prandaj unë vërtet nuk pres diçka pa ndryshuar Serbia në drejtim të demokratizimit dhe shtetit atje. Sa është Serbia kështu hegjemoniste dhe brenda koordinatave le të themi kleronacionalizmit të kohës së Millosheviqit të viteve ‘90-ta, unë nuk pres zgjidhje në kuptimin e një marrëveshjeje me Serbinë. Marrëveshja me Serbinë bëhet kur të ndryshojë Serbia, jo me këtë Serbi aktuale e cila është”, thotë ai.
Konjufca: Shumë mirë që u shkarkua ekipi menaxhues
“Prezantuan një Asociacion i cili është ‘Republikë serbe’ në Kosovë dhe shumë mirë që u shkarkuan. Kjo ka qenë edhe thirrja ime e mëhershme që të shkarkohet ekipi i menaxhimit, pasi nuk përfaqëson fare Kosovën. Ne jemi shtet, do të qëndrojmë shtet, jemi të sigurt në rrugën tonë dhe institucionet e Kosovës nuk mund t’i prezantojnë interesat e institucioneve të Serbisë. Ajo çka është e logjikshme, pritshme dhe kushtetuese është që t’i përfaqësojnë interesat e Kosovës. Ky nuk ishte rasti me ekipin menaxhues i cili është caktuar prej vitit 2018 në këtë përbërje”, shton Konjufca.
“Pa u kthyer serbët në institucione nuk mund të vazhdojë procesi në kuptimin e dialogimit, negociatave dhe kushtëzimeve që po i bëjnë tash për Asociacionin. Qëndrimi i QUINT-it ka qenë shumë i qartë, pranim i institucioneve të Kosovës, kthim në institucionet e Kosovës, pranim i kornizës kushtetuese në të cilën funksionon Kosova dhe pastaj kalojmë në hapa të tjerë. Duke kushtëzuar dhe thënë se ne nuk vijmë institucione të Kosovës, por na jepni fillimisht Asociacionin kjo nuk çon askund dhe kështu nuk mund të zgjidhen problemet”, thekson ai.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ky draft-statut për Asociacionin nuk është final, mirëpo do të jetë një pikënisje për diskutimet e mëtutjshme.
/TV Malisheva