Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kritikoi grupin parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës për, siç tha ai, mungesë të korrektësisë për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që ishin në rend dite. Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit ndërsa Konjufca deklaroi se nuk do ta ftonte fare nëse do të dinte që nuk ka numra të mjaftueshëm për votim.
Ai tha se në mbledhjen e Kryesisë kishte dakordim që të enjten deputetët të ishin në sallën e seancave dhe të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.
“Nuk kemi kuorum, por kjo vërtet nuk është korrekte nga grupi i PDK qe sepse se në kryesi jemi marr vesh ka kaluar kjo punë sepse kishte dyshime për të enjten a me mbajtur seancë apo jo dhe dilema u ngritën dhe të gjithë ishim të një goje që po se mund të ketë kuorum për marrëveshjet ndërkombëtare, grupet u zotuan të sjellin aq sa është e mundshme dhe grupi i PDK këtu në fillim i pati të gjithë deputetët pastaj siç po e shoh unë për shkak të mospajtime dolën. Këto mospajtime është dashur me mi tregua mua si kryetar i Kuvendit të hënën e unë nuk kisha caktuar me i sjell të enjten deputetët po ta dija se nuk ka kuorum”, u shpreh Konjufca.
E lidhur me këtë u përgjigj shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Po flasim për do pika që i kemi prej datës 20 prill në agjendë për juve kanë qenë krejtësisht të parëndësishme që 2 muaj ditë që sillen këto dhe ne kemi pas vullnetin edhe me i votua dhe mbështet….Kështu si po silleni si grup parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje që kurdo që iu teket juve pas 2-3 muaj i shtini në agjendë, i bini, i nxjerrni prej agjendës kjo është e papranueshme, këtë degradim të Kuvendit të Kosovë që ia keni bërë mendoj se duhet me i thirr mendjes edhe me pas pak disiplinë. Qe sa kohë ne nuk po mund të thërrasim seanca të rregullta që 2-3 javë pikërisht për shkak të mos disiplinës së grupit më të madh parlamentar të LVV. Pra, mendoj se adresimi kryesor të mbarëvajtjes së seancave duhet të adresohet mazhorancës e jo opozitës”, tha Tahiri.
Tahiri tha se duke parë që Kosova është pranë sanksioneve nga Bashkimi Evropian, nuk luan rol nëse votohen këto marrëveshje apo jo.
“Po flasim për një paaftësi të madhe e kolaps tashmë kur e shohim që jemi buzë të sanksioneve dhe masave të cilat Komisioni Evropian është duke i paralajmëruar për Kosovën. Pra, vendi jonë nuk është në situatë normale të zhvillimeve të proceseve kemi hyrë në një fazë ku jemi duke u kërcënuar për suspendimin edhe të fondeve të IPA të votuara para disa javësh, jemi në zhvillime jashtëzakonisht të dëmshme për vendin, këto si i votuan si nuk i votuam me gjasë nuk do të vije në shprehje as implementimi i tyre”, tha ai.
E sipas kryetarit të Kuvendit, qëndrimi i PDK-së nuk është i ndershëm.
“Konsideroj se kjo nuk është aspak e ndershme, se këto fjalë kishe mund me mi thanë edhe në mbledhje të kryesisë edhe të mi kishte thënë në mbledhje të kryesisë nuk i thirr deputetët sot. E pikërisht që nuk i the ne i ftuam deputetët sot, e qysh mundesh me fol për zvarritje kur dihet objektivisht se këto nuk kalojnë nëse PDK nuk i voton…Po t’i na ka shtyrë drejt krimit të kompromisit për arritjen e atij kompromisit për votimin e amandamentit të të hyrave vetanake të komunave me premtimin që do t’i votoni marrëveshjet ndërkombëtare e tash këtu po thua i keni zvarriten….Këto jo që 2 muaj po as në 2030 nuk votohen nëse ju nuk i votoni, ju lutemi të bëhemi fer dhe të ndershëm ”, u shpreh ai.
Ndërsa Tahiri ritheksoi qëndrimin e partisë se nuk do të marrin pjesë në votimin e këtyre marrëveshjeve.
“Në shenjë indinjate në krejt këtë dështim që jeni duke ia bërë Kuvendit të Kosovës në krejt këtë dështim ne nuk do të marrim pjesë në votim të këtyre marrëveshjeve”, tha ai.
E shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e konsideroi dëshpërues ndryshimin e qëndrimit të grupit parlamentar të PDK-së.
“Është me të vërtet dëshpëruese ndryshimi i qëndrimit dhe të pavërtetat që i thotë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. As edhe njëherë të vetme LVV nuk ka pas pretendime për kërcënim ose për të themi devijim të seancës në kuptimin e asaj që kemi dashur me shty seancën për ndonjë kuazë apo qëllim të fshehur. Ajo çka ka qenë është e vërtet ka qenë mosdakordimi apo mos pjesëmarrja në votim të marrëveshjeve ndërkombëtare të opozitës si rrjedhoj e mos transformimit të mjeteve vetanake pas të cilës vendim apo votim në Kuvend jemi dakorduar që të kemi votim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Është tërësisht e pavërtetë që deklaron se në mbledhje të Kryesisë është diskutuar që nuk do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare…Mos abuzo me diskutimet dhe me dakordimet që i kemi mos i ndrysho fjalët në seancë publikisht”, theksoi ajo.
Në kundërpërgjigjen e tij, Tahiri tha se Kusari-Lila, si shefe e grupit të shumicës, deri tani do të duhej të përfundonte votimin e këtyre pikave.
“Nuk është faji jonë që tash e 3 muaj ditë i ki në agjendë dhe nuk mund t’i përfundosh jo vetëm marrëveshjet ndërkombëtare që duhet 2/3 por edhe projektligjet që i ke në këtë Kuvend të Kosovës, kjo situatë që keni futur Kuvendin e rrjedhimisht komplet vendin kjo katrahurë që e keni krijua është e papranueshme dhe ju jeni njerëz të paaftë, njerëz të padijshëm, jeni njerëz që nuk arrini me pas koordinim mes vete”, u shpreh Tahiri.
Në rend dite të seancës së sotme plenare ishin pikat e papërfunduara nga seancat e muajit prill, maj e qershor e ndër të parat ishin dy marrëveshje ndërkombëtare për të cilat nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve.
/TV Malisheva