Konstandini i Madh lindi më 27 shkurt të vitit 272, nga një familje fisnike ilire në Naissus të Dardanisë.

I ati i tij Kostanti, ishte në kohën e Dioklecianit njëri prej dy Çezarëve, që mbretëronte në Galinë, Britaninë e madhe dhe Spanjën.

Më 25 korrik të vitit 306 i vdes babai, Konstanti në Jork dhe Konstandini shpallet August (perandor) nga ushtria, e cila përbëhej kryesisht nga ilirë.

Konstandini i Madh ishte perandori i parë i krishterë dhe themeluesi i Kostandinopojës. Vizioni i tij për Romën qytet të përjetshëm që mishërohej në Kostandinopojën jetoi për 1129 vjet. Është shpallur shenjt nga Kisha Katolike. Kisha e Lindjes e konsideron si shenjtorin më të madh.

Portret

Flav Valer Kostandini, mbiquajtur i Madhi, ishte një nga perandorët e famshëm të Romës, me origjinë ilire.

Përveçse si një perandor i madh, ai njihet si themelues i Kostandinopojës, kryeqendrës së perandorisë së mëvonshme të Bizantit, por mbi të gjitha ai njihet si perandori i parë i krishterë.

Akti i konvertimit të Kostandinit nga pagan në të krishterë, përbën një akt historik jo vetëm pse shembulli i tij u ndoq nga një numër i madh nënshtetasish të perandorisë, por dhe sepse me këtë rast, mbas tre shekujsh përndjekjeje në perandorinë romake, krishterimi nis të marrë frymë lirisht. Në epokën e sundimit të tij mori fund një herë e mirë persekutimi i të krishterëve.

Ky perandor i madh ishte i biri i Kostant Klorit, që në kohën kur lindet Kostandini ishte një komandant i thjeshtë, dhe i Elenës (e cila më vonë u konsiderua shenjtore dhe përmendet si pelegrinia e parë në tokën e shenjtë të Jeruzalemit, prej ku dhe pati sjellë në Kostandinopoli Kryqin e Vërtetë).

Konstandini e kaloi rininë në oborrin e perandorit Dioklecian, i cili edhe ai ishte ilir. Në vitin 305, falë sistemit të ri politik, tetrarkisë, vendosur nga Diokleciani, i cili pak vite më vonë do të abdikojë, babai i tij bëhet një nga perandorët, ndërsa Kostandini, i cili kishte treguar talent të veçantë ushtarak në Lindje, shkon mbas të atit në Britani. Në vitin 306 i ati, Kostant Klori vdes dhe Konstandini proklamohet perandor falë mbështetjes së legjionarëve të Eburakumit, në Britani -pjesa më e madhe e të cilëve ishin gjermanë dhe keltë. Në njëzet vitet e ardhshme ai është i detyruar të luftojë kundër mëtuesve të tjerë për fron, që ishin Maksimiani, Masenci, Liçini, Galeri e Maksimilian Daia.

Ai arrin të shpallet perandor vetëm në vitin 324.

Kur më 312 Galeri e Maksimiani vdesin, Konstandini ripushton Italinë, lidh aleancë me Liçinin-për më tepër duke i dhënë për grua të motrën nga babai, Kostancën- dhe i kundërvihet Masencit. Sipas legjendës, në prag të betejës së Saxa Rubra-s, Kostandinit i shfaqet në ëndërr Jezusi, i cili  i kërkon të shkruajë dy gërmat e para të emrit të tij, në greqisht XP, mbi shqytet e legjionarëve. Thuhet se në ditën që pasoi Konstandini pa diellin të shfaqej në formën e një kryqi, dhe në qiell pa të shkruara këto fjalë: “In hoc signo vinces” (“Me këtë shenjë ti do të fitosh”). Kjo ndodhi profetike shënoi fillimin e dilemës së tij për t’u konvertuar në të krishterë.

Ditën e nesërme ai e dërrmoi Masencin në rrethinat e Romës dhe senati e njohu ligjërisht si fitimtar duke i dhënë titullin August. Kështu Konstandini hipi në fronin e perandorisë romake të Perëndimit, duke u vënë krahas Licinit, i cili tashmë qe proklamuar August dhe perandor i Lindjes qysh në vitin 308. Në vitin 313 Kostandini i Madh nënshkroi ediktin e Milanos, nëpërmjet të cilit ai i dha fund persekutimeve që i qenë bërë deri atëherë të krishterëve në perandorinë romake.

Sapo Maksimilian Daia mposhtet nga rivali i tij Liçini, shumë shpejt antagonizmat me dyAaugustëve, Kostandinit dhe Liçinit shtohen, derisa shpërthen një luftë e vërtetë për pushtet. Të dy betejat që këta perandorë zhvilluan mes tyre, beteja e Adrianopolit dhe ajo e Krisopolit, përfunduan me fitoren e Kostandinit, i cili në vitin 324 bëhet i vetmi perandor për Lindjen dhe Perëndimin.

Totius orbis imperator (Perandor i vetëm)

Në vitin 293, perandori Dioklecian e kishte ndarë qeverisjen e perandorisë  në katër pjesë, sistem ky që u quajt tetrarki, duke mbajtur për vete Lindjen dhe duke ua besuar pjesët e tjera Maksimianit, Galerit dhe Kostant Klorit, babait të Konstandinit. Sistemi i ri funksionoi deri në vitin 305, kohë kur Diokleciani abdikoi nga froni, duke e detyruar edhe kolegun e tij të bënte të njëjtën gjë. Galeri e Kostant Klori u emëruan Augustë gjatë një ekspedite në Britani, Kostanc Klori vdiq më 26 qershor 306. Legjionarët e të atit shpallën August Konstandinin, por meqë ky gjest nuk u njoh zyrtarisht, ai u detyrua të qeveriste në atë vend të largët deri në vitin 311, kohë kur Galeri vdiq në Sirmio. Tashmë kishin mbetur tre persona që ndanin mes tyre pushtetin suprem: Liçini që sundonte Ilirinë, Trakinë e Provincat e  Danubit, Maksimini që kishte pjesën lindore të perandorisë, e Konstandini, por edhe Masenci, që edhe pse nuk ishte i veshur me pushtet zyrtar merrte pjesë aktivisht në luftën për pushtet.

Beteja e Saxa Rubra-s përfundoi në favor të Konstandinit, i cili bëhet zoti i plotfuqishëm i tërë Europës. Përpara se të nisej për në Romë, ai i dhuroi papa Melkiadit pallatin antik të familjes së Lateranëve dhe ndërtoi me shpenzimet e veta bazilikën e parë të Romës, Shën Gjoni i Lateranos. Në ditët e para të janarit të vitit 313, Konstandini u largua nga Roma për t’u takuar me Liçinin.

Dy perandorët përmes ediktit të  Milanos shpallën: “NE, KOSTANDIN AUGUSTI, E NE, LIÇIN AUGUSTI, kemi vendosur të garantojmë respektimin e kultit hyjnor, t’u sigurojmë të krishterëve e gjithë të tjerëve që të ndjekin lirisht çdolloj forme besimi që t’u pëlqejë, me qëllim që çdo hyjni që banon në qiej të na ndihmojë ne e të gjithë ata që janë nën pushtetin tonë”.

Dy perandorët mbetën miq për një kohë të shkurtër, sepse më 314 mes tyre shpërtheu lufta, e cila do të zgjaste plot nëntë vjet, për të përfunduar në vitin 323 me betejën e famshme të Krisopolit (Uskudar) ku Liçini u kap i gjallë, u gjykua dhe u ekzekutua. Tashmë Konstandini ishte perandori i vetëm- Totius orbis imperator

Gjatë luftës civile Konstandini u afrua përherë e më shumë me kristianët, duke i shtuar ligjet në dobi të tyre, por ai nuk i persekutoi asnjëherë as dhe paganët, duke i ndenjur besnik ediktit të Milanos, të vitit 313.

Reformat e Kostandinit të Madh

Me politikën e tij energjike ai arriti ta bashkonte një perandori të tronditur, paçka se në të vërtetë hendeku i thellë kulturor mes Lindjes dhe Perëndimit mbeti diçka e pashërueshme.

Përveç absolutizmit të padiskutueshëm shtetëror, Kostandini ua bën të qartë të gjithëve se personi i tij përfaqëson një gjykatës suprem pa kurrfarë mundësie apelimi në të gjitha çështjet: juridike, ushtarake, politike dhe ekonomike.

Ai bëhet perandor edhe për çështjet religjioze, është zot dhe kryeprift, e në të njëjtën kohë perandor dhe papë.

Konstandini i Madh bëri reforma shumë të rëndësishme administrative: riorganizoi ushtrinë dhe e shpalli veten komandant suprem, plotësoi edhe më ndarjen mes autoriteteve civile dhe atyre ushtarake, ide kjo e filluar nga paraardhësi i tij Diokleciani.

Urdhëroi prerjen e monedhave të reja të arit, të cilat mbetën baza e këmbimit deri në rënien e perandorisë bizantine më 1453.

Roma e re në buzë të Bosforit

Kur perandori ilir i Romës, Konstandini, e pa për herë të parë Bizantin, qyteti kishte thuajse njëmijë vjet jetë. Që në shekullin VII para Krishtit ekzistonte këtu një qytet i vogël, me akropolin në kodër, aty ku sot shtrihet Shën Sofia dhe Pallati i Sulltanëve. Në të vërtetë fillimisht Konstandini kishte në plan thjeshtë të ndërtonte një qytet, ku të përjetësonte emrin e tij, por pas vizitës së dytë në Romë, e pa se qyteti i vjetër, me tërë atë traditë republikane dhe pagane s’kishte se si të shndërrohet në zemrën e Perandorisë së re të krishterë. Prandaj në vitin 330 të erës sonë, në atmosferën e festimeve, që zgjatën katër ditë, Konstandini i Madh e transferoi rezidencën e tij perandorake në brigjet e Bosforit.

Konstandinopoja ishte e rrethuar me mure në pjesën e saj detare dhe një mur trefish në pjesën perëndimore. Për më shumë se njëmijë vjet, muret e Kostandinopojës e shpëtuan Perandorinë prej humbjeve, madje edhe prej zhdukjes së plotë prej armiqëve të saj të shumtë. Në fakt, muret e Kostandinopojës mbronin më shumë se Perandorinë; ato mbronin qytetërimin romako-bizantin. Qyteti ishte bërë prej kohësh shprehje e dëshirës konstandiniane për ndërtimin e Perandorisë së Krishterë Romake, e cila duhet të ishte shteti i të gjithë të krishterëve të botës, në kufijtë e mëparshëm të Perandorisë. Kisha dhe Shteti ishin bashkuar në një partneritet të pandashëm, që reflektonin rregullin hyjnor. Administrues i këtij rregulli ishte Perandori Romak, zëvendës i zotit në tokë dhe “Apostull i Trembëdhjetë i Krishtit”, që sundonte si një autokrat i krishterë prej selisë së tij në Kostandinopojë. Konstandini e pati lënë punën e nisur në mes dhe ndër pasardhësit, Justiniani siguroi madhështinë konstandiane. Ai shpenzoi gjithë periudhën e vet të sundimit për realizimin e madhështisë romake.

Në vitin 332, i biri, Kostanci dërrmoi gotët. Ndërkohë mbreti i persisë, Shapur, ngriti pretendime për disa provinca të perandorisë. Kostandini u vu në krye të një ushtrie dhe marshoi kundër persianëve, por me të arritur pranë Nikomedisë, e kuptoi se çasti i tij i fundit kishte ardhur.

Vdekja

Para se të jepte frymën e fundit, ai pranoi të pagëzohej nga peshkopi Euzebio i Nikomedisë. Vdiq në mesditën e 22 majit të vitit 337. Sipas porosisë së tij, funerali ishte madhështor. Sot janë tri kisha që e quajnë Konstandinin të shenjtë: Kisha greke, Kisha ruse dhe Kisha armene.

Mendime mbi Kostandinin

Ka mendime se Flav Valer Kostandini ka qenë perandori më largpamës i tërë historisë romake, përfshirë edhe atë të Lindjes. Qe një gjeneral i madh, një ushtar i madh.

Ai e kuptoi se Krishterimi ishte tashmë një fe që mund të përdorej për qëllimet e veta; duke qeverisur mendjet e njerëzve ai mund të arrinte të kontrollonte drejtpërdrejt  popullsinë e vet. Nuk ishte rastësi që ai i mbajti funksionet fetare në grushtin e vet. Ishte i pari perandor i krishterë, dhe i pari që ndërfuti doktrinën e re të quajtur Cezaropapizëm; e në të vërtetë ai e mbajti për sa ishte gjallë postin e kryepriftit-papës.

Ka qenë i pari perandor i Perandorisë Romake të Lindjes, që, duke ndërtuar një kryeqytet të ri në Bosfor, kryeqytet i cili mori emrin e tij, i dha rrugë krijimit të një perandorie të re që do jetonte shekuj të tërë, deri më 1453.

John Julius Norwich thotë: “Kostandini I, perandori i Romës. Askush nuk e ka merituar titullin “i Madh”, sa ky sovran që brenda pesëmbëdhjetë vitesh mori dy vendime epokale, secila e aftë për të ndryshuar historinë: përshtatja e kristianizmit si fe zyrtare e Perandorisë, dhe transferimi i kryeqytetit të Perandorisë nga Roma në një qytet të ri, ndërtuar mbi themelet e qytetit antik të Bizantit. Aq të rëndësishme qenë rrjedhojat e këtyre dy vendimeve sa Kostandini, -me përjashtim të Krishtit, Budës dhe profetit Muhamed-, mund të pretendojë në mënyrë të ligjshme që të konsiderohet njeriu më me ndikim në tërë historinë.”

Share.