Policia në Gjermani të enjten kreu kontrolle në më shumë se njëqind apartamente dhe zyra mjekësh me dyshimin për falsifikim të kartelave të COVID-19.

“Policia sekuestroi disa leje për COVID dhe telefona mobilë dhe u morën mostra gjaku nga shumë të dyshuar”, tha policia.

Siç u theksua, veprimi i policisë nuk ka hasur në rezistencë nga të dyshuarit.

Në qendër të hetimit është një mjek në jug të Gjermanisë, i cili dyshohet se ka lëshuar kartela false për COVID për persona nga e gjithë Gjermania. Në disa pacientë që dëshironin të vaksinoheshin kundër koronavirusit, mjeku simuloi vaksinimin dhe më pas lëshoi leje.

Personat të cilët me vetëdije kërkuan nga mjekët e tyre vaksinimin pa e marrë vaksinën, po hetohen nën dyshimin se kanë ndihmuar dhe nxitur veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe shkelje të ligjit për mbrojtjen nga infeksioni.

Në disa shtete federale u kryen kontrolle dhe qytetarët u goditën nga fakti se makina me targa nga e gjithë Gjermania po mblidheshin para zyrës së mjekut në provincën bavareze.

Aktualisht në Gjermani ka një debat për futjen e një detyrimi të përgjithshëm për të vaksinuar kundër koronavirusit, i cili përveç koalicionit qeverisës Socialdemokrate-Gjelbër-Liberal, mbështetet edhe nga opozita kristiandemokrate.

Sipas një sondazhi të kryer nga “Spiegel” në fillim të kësaj jave, 64 për qind e qytetarëve gjermanë të anketuar mbështesin futjen e një detyrimi të përgjithshëm vaksinimi./TV Malisheva

Share.