Familja Sallahi nga fshati Zllatar i Ferizajt, që kanë të mbjella me grurë rreth 100 hektarë, kanë nisur korrjet megjithëse janë të pakënaqur me rendimentin e këtij viti. Për shkak të reshjeve edhe korrjet nisën disa ditë me vonesë se zakonisht, por temperaturat ua shtuan edhe kostot këtë vit. Të zhgënjyer janë edhe me qeverinë, pasi vlerësojnë se shteti duhet t’i ndihmojë më shumë.

Fermeri Shukri Sallahi, thotë se përveç se nuk u plotësua rendimenti që kishte pritur, ai shton se edhe çmimi i grurit që do të shesin këtë vit është më i ulët.

56-vjeçari i cili merret me bujqësi më shumë se dy dekada, këtë vit e konsideron më të dobëtin në histori sa i përket rendimentit. Ai thotë se prej kohës kur punon me bujqësi, nuk ka hasur në ndonjë vit më të vështirë se ky.

Nga lagështia e madhe, Sallahi tha se i janë dëmtuar rreth 3 hektarë me grurë. I njëjti shpreson që të paktën të mos dalë në humbje.

“Sivjet kemi nis rreth tetë ditë më vonë, se un kam filluar më herët se tjera anë… Sa i përket sipërfaqeve të mbjellave sivjet janë sipërfaqet më të mëdha të tokës. Por, për fat të keq nuk ka pas kushte të mira për grunaja, ka pas të dëmtuara shumë. Rendimentet që i kemi pritur nuk janë, megjithëse këtu ku po korrim tash në fshatin Bibaj, këtu po duket që rendimenti është tek 5 tonë, por kom pas në vende të tjera ku kam mbetur me 3 tonë e gjysmë. Mirëpo, prej që merrem me bujqësi në Kosovë gjithnjë njëri bereqet është bërë i mirë, gruri ose misri, mirëpo sivjet qysh po shihet asnjëri. Gruri e dëmtoi lagështia, ndërsa misrin po e dëmtojnë tash këto temperaturat e mëdha. Viti më i rëndë në histori që punoj me bujqësi është sivjet… Por, shpresoj që prej 100 hektarëve që kam, me marr rreth 4 ton e gjysmë jam i kënaqur”, shprehet Sallahi.

 

Familja Sallahi që merret me kultura bujqësore, ka të mbjella me grurë në disa fshatra në komunën e Ferizajt, si ajo në Dardani, Sojevë, Zllatar e Bibaj.

Sallahi thotë se cilësia e gurit nuk është më e mira.

“Që tri vjet gruri nuk është duke u bërë shumë i mirë. Dy vitet e kaluara ka qenë muaji maj pa shi fare, por gruri ka qenë pak më i mirë, ndërsa sivjet është kulmi i së rëndës… Me bujqësi punojmë prej kohesh, mirëpo me hektar shumë jemi prej pas luftës, që 22 vjet kurrë nuk jemi ndal. Bujqësia nganjëherë të jep jetë e shpresë, ndonjëherë të demoralizon, nuk është çdoherë në rregull”, thotë Sallahi.

Sallahi, i cili punon edhe me dy vëllezërit e tij, thotë se këtë vit shpenzimet kanë qenë më të larta.

“Gruri ka kostot më të larta. Sivjet bile kemi shpenzuar më shumë, është dashur me plehra t’i rrimë gati më shumë, shkak i ftohtit, edhe nga reshjet e shiut është dashtë të përdorim më shumë plehra artificialepor, në përgjithësi munden me qenë rreth 3 hektarë të dëmtuar, mirëpo jam ende duke punuar… Çmimi i plehut? Ndryshon prej plehut. Vitin e kaluar që kanë ndryshuar plehrat artificiale, mund të na shkojnë edhe 1 mijë euro… Grurin çdoherë prej arave e çoj tek mulliri, bashkëpunoj që shumë vjet me pronarin e njëjtë”, shton Sallahi.

Brengë për familjen Sallahi është edhe çmimi më i ulët i grurit që do e shesin sivjet.

Sipas tij, çmimi për kilogram këtë vit është rreth 21 cent.

“(Çmimi për kilogram) është më i vogël, vjet ka qenë çmimi 34 centë, ndërsa sivjet rreth 21 centë, mirëpo saktë nuk e di sepse ende nuk e kam shitur… Fitimi është më i vogël, në humbje nuk e besoj se jam sepse mendoj se jam duke dalë me një mesatare të mesme”, thotë Sallahi.

Sallahi ka adresuar edhe një vërejtje për Qeverinë e Kosovës, që t’i jepet prioritet bujqve me më shumë hektarë të mbjella.

“Çmimi i naftës ka qenë me një çmim si të njëjtë si vitin e kaluar… Mirëpo, te qeveria kam një vërejtje, ne fermerët që jemi më të mëdhenj, kemi shpenzime më të mëdha, me na jep prioritet tek subvencionet, mos me na lënë të fundit. Inspektorati ende nuk kanë ardhur t’i verifikojnë arat… Sivjet pa 800 euro në hektar është problem të kalojmë. Ndërsa, vitin e kaluar na kanë shkuar 1 mijë euro sepse kemi pas plehun edhe më shtrenjtë, por çmimi i vitit të kaluar na ka mbuluar sepse ka qenë 34 centë”, përfundon Sallahi.

Sipas të dhënave, në Ferizaj janë 4000 hektarë të mbjella me grurë. Në disa rajone rendimenti është 4 tonelata për hektarë, kurse si mesatare e përgjithshme e Ferizajt rendimenti për këtë vit vlerësohet 3,5 tonelata për hektar.

/TV Malisheva

Share.