Ekipi Olimpik i Kosovës do të debutojë muajin e ardhshëm në Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj, “Llozana 2020”, të cilat mbahen prej 9-22 janar 2020 në Llozanë të Zvicrës.
Kosovën do ta përfaqësojnë dy skitarët e skijimit alpin: Era Shala dhe Drin Kokaj, të cilët e kanë fituar edhe zyrtarisht të drejtën për të garuar në LOD për të Rinj “Llozana 2020”.
Shala dhe Kokaj, të dy 16-vjeçarë, janë pjesë e Klubit të Skitarisë Prishtina. Ata garojnë në disiplinat sllallom dhe sllallom i madh, në të cilat do të paraqiten edhe në Llozanë.
Kosova do të jetë njëra prej 11 vendeve që do të debutojnë në edicionin e tretë të këtyre Lojërave.
Pjesëmarrës në LOD për të Rinj “Llozana 2020” janë 1880 sportistë, prej tyre 940 meshkuj dhe 940 femra, të gjithë të moshës 15-18 vjeç.