Nëse ditën e sulmit terrorist nga një grup i armatosur nga Serbia me 24 shtator dhe pak ditë pas këtij sulmi dominonte një pajtim i plotë ndërmjet Kosovës dhe diplomatëve ndërkombëtarë për ta dënuar këtë akt agresioni, kohën e fundit kanë filluar të vërehen çarje dhe dallime ndërmjet përfaqësueseve politikë të Kosovë dhe zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-së, sa i përket hapave të mëtutjeshëm që duhet ndërmarrën veçanërisht në raport me dialogun që po zhvillohej në Bruksel ndërmjet të dy vendeve.
Kështu, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani në vazhdimësi po insistojnë që fillimisht të ketë një hetim dhe ndëshkim ndërkombëtar ndaj Serbisë për sulmin terrorist kundër Kosovës dhe pasi të përfundon kjo fazë të mendohet për një variant tjetër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Në funksion të këtij qëllimi me 28 shtator Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë me 97 vota pro, ku kërkohet të bëhet një hetim ndaj shtetit fqinj. Kryeministri Kurti e ka përsëritur qëndrimin se “nëse Serbia kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsëris krimin”. Një qëndrim i tillë u vërejt edhe gjatë takimit që i pari i qeverisë kishte me senatoren Jeanne Shaheen, anëtare e lartë e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan dhe Peter Welch, po ashtu nga ky institucion.
Senatorja Shaheen tha “se qëllimi i vizitës në Kosovë është shprehja e mbështetjes për autoritetet pas sulmit të 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri, ku u vra një oficer i policisë”. Në anën tjetër Kryeministri Kurti ka pohuar se i ka informuar dy mysafirët se “dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian nuk mund të vazhdojë thjesht sikur asgjë nuk ka ndodhur. Nuk mund ta mbështesim si “punë të zakonshme”. Kapitulli tjetër i dialogut për normalizim tani duhet të marr parasysh veprimet e agresionit të Serbisë dhe synimin e saj për të aneksuar veriun e Kosovës”.
Ndërkohë, deri më tani zyrtarë të BE-së kanë pohuar se nëse vërtetohet se Serbia është e përfshirë në këtë aksion, pa dyshim se do të merren masa ndaj saj. Por paraprakisht nevojiten hetime dhe duhen prova. Mirëpo, kjo nuk duhet ta përjashtojë rifillimin e dialogut. E paralelisht me këto zhvillime të dërguarit “e posaçëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak së bashku me këshilltarët e presidentit francez Emannuel Macron, të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni pritet të qëndrojnë javën e ardhshme në Kosovë dhe Serbi në përpjekje për të nxitur palët drejt zbatimit marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër në shkurt dhe në mars të këtij viti” shkruan Zëri i Amerikës. Çfarë nënkupton se do të shtohet presioni për rifillim të dialogut para se të mund të përfundojnë hetimet ndërkombëtare. Po ashtu, kundër rifillimit të dialogut pa sanksionim paraprak të Serbisë ka kohë që është pozicionuar edhe Presidentja Osmani.
Por, analistë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë vënë në pikëpyetje gjasat që Serbia të sanksionohet nga Bashkimi Evropian, në kuptimin si është ndëshkuar Rusia. Para pake dite, Robert Jozëiak redaktor i REL, po për këtë medium kishte pohuar se “nuk do të ketë ndonjë sanksion në kuptimin e plotë fjalës kundër Serbisë. Për sanksione duhet të pajtohen të 27 vendet anëtare Bashkimit Evropian. Duhet të ketë unanimitet dhe unanimitet të tillë nuk ka. Andaj sanksionet sikur ato të Bashkimit Evropian kundër Rusisë që përfshin ndalimin e vizave apo ngrirjen e aseteve nuk do të ketë. Ato që mund të miratohen janë të ashtuquajtura masa kundër Serbisë, sikur ato që janë shqiptuar kundër Kosovës më herët sikur se ndërprerja e bisedimeve dy paleshe, mos financimi i programeve të caktuara të Bashkimit Evropian e kështu me radhë.
Në këtë vorbull të ngjarjeve Kosova dhe Nashkësia Ndërkombëtare shumë shpejt mund të gjenden hapur në pozicione jo harmonike diplomatike sa i përket procesit të dialogut, ku e para kërkon hetim dhe ndëshkim paraprak të Serbisë, kurse e dyta fillimin e tij të menjëhershëm me qëllim zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe atë të Ohrit, pavarësisht kohës sa do të marrin hetimet.
/TV Malisheva