Nga 11 deri më 17 korrik Kosova do të jetë nikoqire e Kupës së Botës në hendboll për universitete. Për gjashtë ditë, në Prishtinë do të qëndrojnë studentë nga rreth 20 vende të botës që do të kërkojnë titullin e më të mirit në këtë kampionat.
Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit, Ministria e Kuluturës dhe Sportit, Federata e Hendbollit dhe Komuna e Prishtinës, kanë bashkuar forcat për organizimin sa më të mirë të kësaj ngjarje të madhe me përmasa botërore.
Musa Selimi, dekan në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, tregon rëndësinë e kësaj ngjarje që mbahet në Prishtinë, si dhe punën që u bë për ta fituar organizimin e këtij kampionati.
Selimi: E prezantuam Kosovën në mënyrë dinjitoze para komisionit vlerësues
“Po kemi pasur rivalitet, kanë qenë disa shtete të cilat kanë aplikuar në konkursin që ka qenë në kuadër të FISU-së, që është mbajtur në Lozanë sepse selia e FISU-së, është në Lozanë, dhe në këtë drejtim ne e kemi shkuar me një projekt shumë të detajizuar, të përgatitur enkas për këtë ngjarje dhe kemi prezantuar Kosovën, Prishtinën si kryeqytet, kemi prezantuar palestrat tona, konviktet dhe ka qenë interesant për komisionin prej pesë anëtarëve, paneli i të cilëve na ka intervistuar dhe ka bërë pyetje vazhdimisht se donin të dinin të gjitha informacionet dhe mos të mbeten mangu sa i përket informatave. Kjo ka qenë tre muaj para se të merret vendimi, në vitin 2019 dhe në pjesën e dytë të dhjetorit 2019, ne e kemi marrë vendimin nga sekretari gjeneral që Kosova do të jetë nikoqire e kësaj ngjarje”, tha Selimi.
Një numër i konsiderueshëm i shteteve pjesëmarrëse ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, andaj, Selimi thotë se ky do të jetë një rast për të paraqitur para tyre vlerat e vendit tonë.
Selimi: Këto janë shtetet pjesëmarrëse në këtë kampionat
“Ne kemi shtete pjesëmarrëse nga tri kontinente, në fakt ka qenë edhe një ekip nga Amerika Jugore, Brazili, por ende nuk e dimë saktë për shkak të rrugës së gjatë. Ata fillimisht janë regjistruar por nuk e kanë konfirmuar ende se a do të jenë edhe ata mysafirë. Nga Azia kemi Korenë e Jugut, universitetin e ekipit të Seulit…pastaj vijnë nga Evropa, Republika e Çekisë, Portugalia, prapë nga Azia e kemi Turqinë, nga Afrika e kemi Egjiptin, Uganda, e cila po ashtu ende nuk është definitive për shkak të organizimit dhe ndoshta kanë problem edhe me marrjen e vizave…kemi ekipe nga Spanja, Egjipti, shtete që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe për ne është shumë me rëndësi kjo edhe në aspektin politik dhe diplomacisë sportive që ne t’i presim në mënyrën më të mirë… Po ashtu, nga regjioni kemi ekipe nga Kroacia, Shqipëria nga Mali i Zi”, theksoi Selimi.
Sa i përket infrastrukturës sportive që nevojitet për zhvillimin e ndeshjeve, Selimi ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe se Pallati i Rinisë dhe Salla “1 Tetori”, janë në kushte optimale për zhvillimin e të gjitha përballjeve.
Selimi: Kemi dy palestra jashtëzakonisht mirë të përgatitura
“Ne presim dy konkurencat. Konkurencën e meshkujve që do të jenë 10-12 ekipe dhe konkurencën e femrave që do të 8-10 ekipe. Ne kemi dy palestra jashtëzakonisht mirë të përgatitura sa i përket ndeshjeve të cilat do të zhvillohen dhe po ashtu kemi një bashkëpunim të ngushtë me Federatën e Hendbollit të cilët me marrëveshjen që e kemi arritur, do të përkujdesen komplet për pjesën teknike, përgatitjen e ekipeve, caktimin e selektorëve, seleksionimin e lojtarëve që do ta bartin emrin e Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ dhe në këtë drejtim mendoj që jemi jashtëzakonisht mirë të përgatitur”, tha ai.
E sa i përket aspektit sportiv dhe rezultateve që Kosova i synon në këtë kampionat, Selimi tha se kjo është më pak e rëndësishme krahasuar me mbarëvajtjen e organizimit sepse kjo do t’i jepte një imazh shumë të mirë Kosovës në të gjithë botën./TV Malisheva