Përvec Kombëtares shqiptare në fushën e lojës do të zbresë edhe skuadra e Kosovës që do të presë Malin e Zi në derbin ballkanas të kualifikueseve të Euro 2020.
Fitorja e Çekisë ndaj Anglisë ia ka komplikuar disi planet skuadrës së Challandes për çështjen e kualifikimit, por trajneri zviceran i kosovës beson ende te kualifikimi.
“Për momentin nuk mendoj për Ligën e Kombeve, jemi në kualifikuese dhe mendoj që edhe këtu mund të arrijmë hyrjen në Evropian. Ajo që ka më shumë rëndësi është që tani të japim maksimumin tonë”, shprehet Bernard ChallandEs, trajner i Kosovës.
Challandes shtoi se faktori fushë do ta ndihmojë jashtë mase skuadrën e tij për këtë ndeshje me Malin e zi ku Kosova do të kërkojë të bëjë lojën e saj.
“Unë e pëlqej presionin. Presioni nganjëherë është i mirë po ashtu kemi disa lojtarë të cilët pëlqejnë presionin. Mendoj që kështu është më mirë të luajmë. Luajmë në Prishtinë ku nuk kemi asnjë humbje, do të na ndihmojë fakti të qenit skuadër pritëse. Nuk mund të them se nuk më brengos shumë renditja në tabelë ose rezultatet tjera por e përsëris ne si ekip duhet të japim maksimumin të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë”, shton trajneri.
Kosova ka luajtur 5 ndeshje në kualifikueset e Euro 2020 deri tani dhe ka arritur të grumbullojë 8 pikë duke u renditur në vendin e tretë pas Anglisë dhe Çekisë që janë me 12 pikë. megjithatë Kosova e ka edhe një shans për të qenë në Evropianin e 2020, playoff-i i Nations League. sfida mes Kosovës dhe Malit të Zi do të luhet në stadiumin Fadil Vokrri të Prishtinës në orën 20:45 dhe do të transmetohet në platformën Digitalb.