Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit është pa diskutim një nga prodhimet më të suksesshme të kinematografisë vendore sivjet.

Ai fitoi tri çmime në festivalin prestigjioz të filmit “Sundance Film Festival”, teksa u shpërblye me çmimin kryesor së fundmi edhe në festivalin më të madh të filmit në vend, Pri Film Fest.

Duke parë suksesin e këtij prodhimi filmik, Qendra Kinematografike e Kosovës ka vendosur që të dërgojë këtë film si propozim drejt nominimeve festivalit më të madh botëror të ndarjes së çmimeve për kinematografi, Oscars

Lajmi është bërë i ditur nga vet faqja e QKK-së në Facebook, përmes një njoftimi në llogarinë e tyre zyrtare në Facebook.

Ky është njoftimi i plotë nga Qendra Kinematografike e Kosovës:

“Tri herë fituesi i Fesitvalit të Sundance ‘Zgjoi’ nga Blerta Basholli propozohet nga Kosova si kandidati i saj zyrtar për garën e Oscars.

“‘Zgjoi’ është sa intim, aq edhe universal, që prekë thellë me tregimin, e dhimbjes, qëndrushmërisë dhe përfundimisht triumfit. Filmi është i realizuar me mjeshtëri në mënyrë realiste, të përmbajtun dhe me gravitet të thellë. Tregimi i vërtetë i Fahrie Hotit në ‘Zgjoi’-n është shprehje kinematografike inspiruese në sfidimin e status quose dhe rolet nënshtruese të konstruktuara nga shoqëria në Kosovë dhe botë” deklaroi e komitetit selektues pas përzgjedhjes së filmit.

“Zgjoi” ka për producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n. Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; “Zgjoi“ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe me drejta të shitjes globale nga LevelK”, ka shkruar QKK në Facebook./TV Malisheva

 

 

 

Share.