Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do t’i zhvillojë dy ndeshje këtë muaj në kuadër të ciklit eliminator për Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

Fillimisht, më 7 shtator Kosova e pret Republikën e Çekisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa tre ditë më vonë udhëton drejt Anglisë për të luajtur me ishullorët në “St Mary’s Stadium”.

Dy ndeshjet në fjalë, Kosova do t’i zhvillojë në kuadër të grupit A, aty ku “Dardanët” pozicionohen në vendin e tretë me pesë pikë të grumbulluara, derisa lider është Anglia me gjashtë pikë, derisa vendin e dytë e mbajnë çekët me gjashtë pikë gjithashtu.

Si Kosova ashtu edhe Republika e Çekisë kanë filluar përgatitjet intensive para ndeshjes së 7 shtatorit, e cila zhvillohet me fillim nga ora 15:00.

Tre ditë para ndeshjes, shtëpia më e madhe e futbollit evropian UEFA ka bërë të ditur edhe emrat e gjyqtarëve që do ta ndajnë drejtësinë në ndeshjen mes Kosovës dhe Republikës së Çekisë.

Holandezi Danny Makkelie do ta thotë fjalën kryesore në këtë ndeshje, derisa ai do të ndihmohet nga Mario Diks dhe Hessel Steegstra, derisa gjyqtar i katërt do të jetë Kevin Blom.

Image

Këtë edicion, Makkelie ka ndarë drejtësinë në gjithsej gjashtë ndeshje – një në eliminatoret e Ligës së Evropës, dy në Ligën Profesionale ‘Saudi’ dhe në tri ndeshje të kampionatit elitar holandez Eredivisie.

Në përgjithësi, Makkelie ka shpërndarë 18 kartona të verdhë këtë edicion dhe asnjë të kuq.

Share.