Lajm fantastik vjen nga Përfaqësuesja e Kosovës në Beach Volley (volejbollit në rërë), e cila ka shkruar historinë duke siguruar biletën drejt fazës së grupeve të Kampionatit Evropian.

Përfaqësuesja e Kosovës e grupmoshave U22 në volejbollin në rërë e ka mposhtur Kroacinë, fitore kjo e cila ia siguroi pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Evropianit të volejbollit në rërë, raporton KosovaPress.

Pasi mposhtën Skocinë e Irlandën e Veriut dhe pësuan humbje nga Sllovakia, “Dardanët” mposhtën Kroacinë 2:1 (21:18, 16:21, 15:12), kështu duke shkruar historinë pasi që e sigurojnë fazën e grupeve të kësaj gare për herë të parë në histori.

Me këtë fitore, dyshja, Ermal Maliqi dhe Erion Bajrami të udhëhequr nga trajneri Fatlum Hajrizi u kualifikuan në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian, ku do të marrin pjesë 32 ekipet më të mira të Kontinentit të Vjetër në volejboll në rërë.

Kosova U22 do të jetë pjesë e Grupit G, bashkë me kombëtaret e njohura si ajo e Polonisë, Norvegjisë dhe Hungarisë.

/TV Malisheva

Share.