Përfaqësuesja e Kosovës U21 ka regjistruar një triumf të rëndësishëm në rrugën e saj drejt “Euro 2025”, duke shënuar fitoren e saj të dytë në fushatën kualifikuese. Të martën, skuadra e të rinjve ka siguruar tri pikë të çmuara pas një ndeshjeje të fortë kundër Izraelit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Ndeshja, e cila u zhvillua në kuadër të Grupit D, u mbyll me rezultatin 3-1 për tanët. Dy gola në pjesën e parë dhe një tjetër në të dytën i siguruan Kosovës U21 një fitore bindëse.

Golin e parë dhe avantazhin për Kosovën e realizoi Bleron Krasniqi në minutën e gjashtë, duke ndezur atmosferën në stadium. Në vetëm pesë minuta më pas, saktësisht në minutën e 11-të, Krasniqi realizoi sërish, duke arritur golin e tij të dytë personal dhe duke dyfishuar epërsinë e skuadrës së tij. Izraeli u përpoq të reagojë dhe arriti të ngushtojë distancën në 2:1 në minutën e 24-të me gol nga mesfushori Stav Nachmani.

Duke qenë një gol përpara, të rinjtë e Kosovës shkuan për në dhomat e zhveshjes me avantazhin minimal në duart e tyre. Pjesa e dytë e ndeshjes solli më shumë tension dhe emocione, përpara se Veton Tusha të vulosë fitoren me një gol tjetër në minutën e 80-të, pas një asistimi të saktë nga Ardit Tahiri.

Ky sukses e çon Kosovën U21 në një pozitë më të favorshme në grup, duke u renditur aktualisht e treta me 8 pikë. Izraeli, nga ana tjetër, vazhdon të mbetet në fundin e tabelës pa pikë, por ende me tri ndeshje më pak të luajtura.

Pas ndeshjes ndaj Izraelit, Kosovës U21 i mbeten edhe katër sfida deri në përfundimin e këtij cikli eliminatores, të cilat do të luhen në vitin e ardhshëm. Reprezentanca vazhdon rrugëtimin e saj me shpresën për të arritur rezultate akoma më të mira në ato përballje që mbeten.

/TV Malisheva

Share.