Presidenti i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha, ka shprehur vlerësimin e tij për Procesin e Berlinit, por jo edhe për Ballkanin e Hapur. Mos përfshirja e Kosovës në këtë të fundit, sipas tij, pritet të paraqesë probleme për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave midis dy shteteve, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Hoxha, në një intervistë, deklaroi se sfidë tjetër mes dy vendeve mbetet edhe stagnimi i ndërtimit të autostradës nga Shkupi në drejtim të kufirit me Kosovën.

Hoxha: Barrierë edhe iniciativa e Open Ballkan ku nuk është Kosova

“Barrierat e tjera janë rasti i iniciativës së Open Ballkan, ku në këtë iniciativë Kosova nuk është e inkuadruar. Ne si Odë Ekonomike jemi promovues të Procesit të Berlinit ku veç kishim iniciativa të ngjashme dhe Kosova ishte pjesë e Procesit të Berlinit dhe një iniciativë e tillë ku Kosova nuk është e përfshirë në këtë hartë apo në këtë grup do të ndikojë shumë sepse e dimë që Kosova është pjesa qendrore e Ballkanit dhe gjithçka qarkullon përmes Kosovës , dhe do kishte benifite edhe vetë Kosova dhe shtetet e rajonit nëse do të ishte një proces inkluziv i të gjitha shteteve të Ballkanit”, thekson ai.

Hoxha thotë se si odë janë pro të gjitha iniciativave me kusht që aty të jenë të përfshira të gjitha vendet e rajonit.

Hoxha: Procesi i Berlinit ishte një iniciativë e qëlluar, s’pati nevojë për Ballkanin e Hapur

“Ne jemi pro të gjitha iniciativave për rritjen e qarkullimit, për heqjen e barrierave, për lirinë e shërbimeve e kështu me radhë. Por ne jemi për inkluzivitet të të gjitha vendeve pa përjashtim, sepse nëse veç paraqiten përjashtime, do të paraqiten probleme dhe barriera të shumëfishta që duhet të tejkalohen në forma të ndryshme. Kështu që mendoj se Procesi i Berlinit ishte një iniciativë e qëlluar, por jo e realizuar deri në fund, dhe doli një iniciativë e re, e cila mendoj se është e ngjashme me Procesin e Berlinit, kështu që nuk ishte e nevojshme të ngrihet një iniciativë e tillë”, thotë ai.

Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet më 3 nëntor në Gjermani, për herë të parë nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Ndër të tjera Hoxha thotë se ka mbi një dekadë që Oda Ekonomike Veri-Perëndimore po apelon në Qeverinë e Maqedonisë Veriore që të përshpejtohet procesi i investimit respektivisht ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë, ku nga ana tjetër, veçse Kosova ka përfunduar një autostradë moderne.

Hoxha: Barrierë mbetet edhe mos përfundimi i autostradës nga Shkupi në Bllacë

“Barrierat kryesore në midis vendeve të rajonit, respektivisht Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, është barriera e infrastrukturës, e cila për momentin nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk është në nivelin e duhur dhe kemi një apel që ne si Odë Ekonomike kemi bërë ndër vite dhe ky është një problem i cili ndikon shumë në qarkullimin e mallrave, në uljen e kostove dhe shpejtësinë e qarkullimit të njerëzve dhe të shërbimeve”, thotë ai.

Hoxha thotë se tani sfidë mbetet edhe ngritja e çmimeve që do të ndikojë dukshëm në koston e prodhimit nga kompanitë, ku kanë kërkuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriu mbështetje për bizneset.

Hoxha: Kemi kërkuar mbështetjen e bizneseve

“Ne si Odë Ekonomike kemi kërkuar nga Qeveria të gjejnë mënyra e mundësi që kompanitë prodhuese të mbështeten derisa të ekziston kriza në mënyrë që të mbajnë vendet e punës, të kenë mundësi të prodhojnë produktet e tyre dhe të plotësojnë nevojat e konsumatorëve në vendet tona. Sa iu ka përgjigjur kërkesave Qeveria? Konkretisht në Maqedoninë e Veriut, Qeveria është duke mbështetur amvisërinë me subvencione gjë që ka ndikuar pak në rritjen e energjisë elektrike, por në aspektin e bizneseve ndihma është për kompanitë e vogla dhe mesme respektivisht deri në 2 milionë euro qarkullim. Mbështetja ekziston, por ideja është që qeveria të ketë sens që të ndjekë kompanitë të mos dështojnë dhe të mos i lëshojnë punëtorët nga kompanitë e tyre”, thotë ai.

Përkundër këtyre sfidave, Hoxha thotë se ka një ngritje të hatashme të këmbimeve tregtare midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kosova ka eksportuar rreth 80 milionë euro brenda një viti në këtë shtet dhe ka importuar rreth 200 milionë euro mallra.

/TV Malisheva

Share.