Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur një takim të mbyllur, në të cilin ka diskutuar për situatën e krijuar pas njoftimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për mosdekretimin e kryeprokurorit të ri të Shtetit, Blerim Isufaj.
KPK-ja ka shprehur mospajtim të thellë ndaj deklaratave të Osmanit, “të ndërtuara mbi një rrafsh më tepër politik sesa kushtetues dhe ligjor, me arsyetime tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze, të cilat i prezantoi sot në një konferencë për medie”.
Sipas komunikatës së lëshuar pas takimit, KPK-ja ka mbajtur publikun të informuar vazhdimisht lidhur me komunikimet zyrtare dhe shkresat e adresuara në Zyrën e Presidentes, si dhe më herët edhe lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, prandaj konstatoi se, Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese.
Këshilli Prokurorial vlerësoi se deklaratat e tilla publike përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e sistemit prokurorial, përkatësisht në institucionin e Prokurorit të Shtetit.
Lidhur me deklaratat e sotme se ka pasur presione dhe kërcënime, ftojmë Presidenten e vendit që nëse ka prova dhe dëshmi t’i dërgojë ato te organet kompetente, në mënyrë që të ndriçohen plotësisht, sepse sistemi prokurorial është institucion i veçantë kushtetues, i pavarur dhe i paanshëm, i cili kryen detyrën e vet në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.
Me këtë rast, sa i përket vlerësimit të procedurës, Këshilli Prokurorial, theksoi se qëndron prapa procedurave të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe se deklaratat e tilla, për kinse, evidentimin e të gjitha shkeljeve nga ana e KPK-së, janë në kundërshtim të hapur dhe në këtë kuptim, Presidentja e Republikës as nuk mund të emërojë ndonjë prokuror pa propozimin e Këshillit Prokurorial, por as nuk mund të refuzojë propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin e prokurorëve. Siç u tha më tej në këtë takim, e vetmja hapësirë ku Presidentja e Republikës, në kuptim të kompetencës në paragrafët 5, 6 dhe 7 të Nenit 109 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës, ku mund të veprojë është që mund të refuzojë një propozim të Këshillit Prokurorial nëse ai/ajo nuk i përmbush kushtet formale, por kurrsesi ta refuzojë atë për arsye substanciale.
Për më tepër, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kompetenca e Presidentes së vendit për dekretim është e lidhur vetëm me propozimin e KPK-së, i cili në mënyrë unanime ka propozuar z. Blerim Isufaj, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në përfundim të këtij takimi, u tha se KPK-ja do të mbajë së shpejti një takim për të vendosur lidhur me hapat që do të ndjekë pas njoftimit të Presidentes për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit.
/TV Malisheva