Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka shkatërruar materialin zgjedhor të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Shkatërrimi i këtyre materialeve u bë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deklaroi se në përgjithësi është planifikuar të shkatërrohet materiali zgjedhor i më shumë se 2.200 vendvotimeve.
Elezi: Është planifikuar të shkatërrohet materiali zgjedhor i më shumë se 2,200 vendvotimeve
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me shkatërrimin e materialit zgjedhor të Zgjedhjeve Lokale që u mbajtën në tetor dhe nëntor të vitit 2021. Sipas vendimit të KQZ-së, pjesë të materialit që do të shkatërrohen janë fletëvotimet, formularët e rezultateve, lista e votuesve dhe të tjera. Marrë në përgjithësi, është planifikuar të shkatërrohet materiali zgjedhor i më shumë se 2,200 vendvotimeve”, tha ai.
Elezi tha se nga ky proces përjashtohet materiali zgjedhor i rreth 280 vendvotimeve ku përfshihen edhe materialet që i takojnë votimit.
Sipas tij, këto materiale zgjedhore do të ruhen si prova për qëllime të hetimit nga institucionet përkatëse.
Elezi: Një pjesë e materialeve ruhet si prova me qëllim të hetimeve nga institucionet përkatëse
“Nga ky proces do të përjashtohet materiali zgjedhor i rreth 280 vendvotimeve dhe këtu përfshihen edhe materialet që i takojnë procesit të votimit me kusht dhe atij me postë. Këto materiale zgjedhore u takojnë komunave të ndryshme dhe do të ruhen si prova me qëllim të hetimeve nga institucionet përkatëse deri në përfundimin e të gjitha çështjeve”, tha ai. /TV Malisheva