Ambasadorja Lendita Haxhitasim mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Jurisë së edicionit 5- të Balkan Film Festival. Edhe këtë vit, falë bashkëpunimit të ngushtë mes Ambasadës së Kosovës në Itali dhe organizatorëve të shoqatës Occhio Blu– Anna Cenerini Bova, u projektuan në Casa del Cinema në Romë filmat e suksesshëm të kinematografisë kosovare si “Vera andrron detin” e regjisores Kaltrina Krasniqi, dhe “Në kërkim të Venerës” i regjisores Norika Sefa.

Publiku artëdashës italian dhe ndërkombëtar, mirëpriti dhe duartrokiti secilin prej filmave të kineasteve të talentuara kosovare, të cilat me talentin e tyre arritën të transmetojnë mesazhe të çmuara përmes filmave të tyre.

Juria e këtij edicioni, e kryesuar nga regjisori i Maqedonisë së Veriut Milcho Manchevski, fitues i Luanit të Artë në 1994 me filmin e tij “Para shiut”, vlerësoi me çmimin “Aktorja më e Mirë” dy aktoret: Kosovare Krasniqi dhe Rozafa Celaj për interpretimin e shkëlqyer në filmin “Në kërkim të Venerës”.

Çmimi iu dorëzua Ambasadores Haxhitasim nga Drejtori Mario Bova, i cili e falënderoi për bashkëpunimin e shkëlqyer edhe në këtë edicion.

“Përgëzimet më sinqerta për aktoret tona Kosovare Krasniqi dhe Rozafa Çelaj, të cilat mbrëmë korrën një tjetër sukses ndërkombëtar për interpretimin e shkëlqyer në filmin “Në kërkim të Venerës”, ku u konsideruan si aktoret më të mira të edicionin të V° të #BalkanFilmFestival në Romë. Krenare dhe e nderuar që pranova çmimin në emër të Kosovares dhe Rozafës. Kjo mirënjohje ishte edhe më emocionues sepse çmimi ka në të vërtetë edhe një vlerë shumë të çmuar artistike, pasi ai është punuar nga komuniteti ynë Arëbreshë dhe pasqyron Gjarprin e Kolegjit të Shën Mitrit në Kalabri. Urime edhe njëherë vajzave tona për suksesin e radhës, si dhe dy regjisoreve Norika Sefa dhe Kaltrina Krasniqi që me filmat e tyre “Në kërkim të Venerës” e “Vera andrron detin” lartësuan përball publikut italianë punën e tyre dhe vlerat e kinematografisë tonë, gjithnjë e më e pranishme në skenat ndërkombëtare”, ka shkruar ambasadorja Haxhitasim në Facebook.

 

Share.