Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, priti në takim përfaqësuesit e Odës Tregtare Kosovare-Turke, të kryesuar nga Abdurrahman Balkiz, kryetar i kësaj ode.
Fillimisht, ministri Krasniqi i falënderoi mysafirët për përkushtimin e treguar për të bashkëpunuar edhe më tej në aspektin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Siç njofton kumtesa ministrore, ministri potencoi se ky bashkëpunim i ndërsjellë në mes dy vendeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si dhe to të thellohen edhe më shumë mundësitë investive dhe bashkëpunuese në mes të bizneseve të Kosovës dhe të Turqisë, e që do të ndikojë edhe në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik tek të dy vendet.
Ky bashkëpunim, sipas ministrit Krasniqi, do të jetë edhe më i frytshëm nëse arrijmë që t’i eliminojmë barrierat gjatë shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve, meqë kemi edhe marrëveshjen e nënshkruar për tregti të lirë në mes Kosovës dhe Turqisë, e cila i jep mbështetje shkëmbimeve tregtare në mes të dy shteteve.
Ndërsa, kryetari i Odës Tregtare Kosovare-Turke, Abdurrahman Balkiz, në fillim e uroi ministrinë për pozitën e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë dhe më pas i ngriti disa çështje që do ta ndihmonin biznesin nga të dyja anët.
Ai e shtroi çështjen e mundësisë së investimeve turke në Kosovë, mundësinë e përgatitjes së produktit me vend të origjinës nga Kosova, si dhe mundësitë e ofrimit të marrëveshjeve ekonomike në mes afaristëve kosovarë dhe atyre turq.
Për këtë, ministri Krasniqi ua sqaroi përfaqësuesve të Odës Tregtare Kosovare-Turke se Kosova tashmë është si potencial i mirë në trajtimin e investitorëve strategjikë, ku çështjen e investitorëve strategjikë e kemi të rregulluar edhe me Ligjin për Investime Strategjike, që mundëson lehtësira dhe mundësi investuese për investitorët e mundshëm strategjikë.
Si mundësi tjetër në fushën e investimeve në Kosovë, ministri përmendi edhe zonat ekonomike, që janë më interes ekonomik dhe se së shpejti do të jenë edhe si zona ku do të përqendrohen mundësitë investuese edhe nga investitorët më të vegjël, por që pritet së shpejti të rregullohen edhe disa çështje në aspektin e plotësimeve ligjore.
Krejt në fund, ministri Krasniqi u bëri thirrje të gjithë investitorëve të mundshëm të Turqisë, që të vijnë t’i shikojnë mundësitë investuese që i ofron Kosova për investitorët në përgjithësi./Tv Malisheva