Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka refuzuar ftesën e presidentes Vjosa Osmani për një takim me liderët opozitarë të enjten.

Krasniqi, tha se s’mundet të shkojë në këtë takim, derisa e para e vendit me heshtjen e saj s’ka zbatuar obligimet e saja kushtetuese për situatën në veri dhe ruajtjen e marrëdhënieve me aleatët strategjik të Kosovës.

Megjithatë, Krasniqi tha se do të pranonte një takim të tillë vetëm në rast se ftohet për caktimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Krasniqi, në konferencë për medie, kritikoi Osmanin se s’ka bërë asnjë veprim për t’iu kthyer normalitetit në veri dhe rikuperuar marrëdhëniet me aleatët.

Krasniqi: Refuzoj ftesën për takim nga presidentja Osmani

“Pasi e kam shqyrtuar me shumë vëmendje kërkesën e saj, por mbi të gjitha duke vlerësuar me shumë keqardhje neglizhencën dhe heshtjen e saj, sidomos gjatë tri javëve të fundit duke parë moszbatimin e obligimeve të saj kushtetuese për të garantuar unitetin e saj për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjik ndërkombëtar, si dhe për luajtur rolin e saj kushtetues si institucion mbi palët, me shumë keqardhje kam vendosur që të refuzoj ftesën, pasi konsideroj se ne nuk mund të luajmë normalitetin. Gjendja në vendin tonë nuk është aspak normale, në veri kemi një situatë që po shkon duke u përkeqësuar, ndërsa nga krerët institucional asnjë veprim, jo vetëm për kthyer normalitetin, por edhe për të rikuperuar marrëdhëniet skajshmërish të përkeqësuar me partnerët tanë ndërkombëtar”, tha ai.

Megjithëse lideri opozitar u shpreh i gatshëm për zgjedhje të reja, ai tha se mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti nuk është zgjidhje, por duhet marrëveshje politike për shpërndarje të Kuvendit.

Madje, Krasniqi, mocionin e propozuar nga AAK-ja e konsideroi si tendencë për protagonizëm të Ramush Haradinajt.

Krasniqi: Mocioni s’është zgjidhje për zgjedhje, të shikohen mundësitë e tjera

“Unë i kam thënë presidentes se në rastet të tjera e shpreh gatishmërinë për takim, por para së gjithash shpresoj që do të na fton për caktimin e një date për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për të cilat Kosova ka nevojë jashtëzakonisht shumë….Partitë politike secila i kanë qëndrimet e veta, dëshirojnë të kenë momentumet e veta, ndonjëherë i kuptoj edhe tendencat për të pasur protagonizëm. Por tendenca për të luajtur rolin e një protagonisti, pa e pasur mundësinë me pas një gjë të tillë nuk i ndihmon AAK-së e aq më pak zhvillimeve politike në vend. Zotëri Ramush Haradinaj e ka marrë një iniciativë, s’jam kundër iniciativës por s’mundet me marrë iniciativa uni laterale ai që është në fund të skenës politike parlamentare. S’mundesh me imponua vullnetin, pasi për këto gjëra duhet me pas diskutim, koordinim dhe pastaj të shikohet si është rruga përpara. Është gabim sot me ndryshu temë. Mocioni është me ndryshu temë dhe vëmendje prej problemeve të mëdha që po ballafaqohemi në veri. Rreziqet e veriut janë shumë të mëdha, situata ka potencial përshkallëzimi…Cila është mënyra (për zgjedhje të jashtëzakonshme) duhet me diskutu me të gjithë faktorët, pasi nuk mundemi me imponu. Nuk është mocioni, mundet me qenë dorëheqja, apo një marrëveshje politike për shpërndarjen e Kuvendit”, theksoi Krasniqi.

Në anën tjetër, Krasniqi, foli edhe për takimin e sotëm në Bruksel, ku tha se ka zero pritshmëri se do të zgjidhet situata në veri.

Krasniqi: Asnjë pritje se kam për takimin në Bruksel

“Asnjë pritje se kam për takimin në Bruksel. Takimet atje asgjë pozitive deri tani s’kanë sjell, pasi mbi 90 për qind të rasteve deri tani ato janë shfrytëzuar për populizëm nga Albin Kurti në Kosovë dhe Aleksandër Vuçiq në Serbi. S’janë duke u mundu me bërë zgjidhje, janë duke bërë kriza të cilat fitojnë vetëm ata dy personalisht, por asnjë mënyrë qytetarët në dy anët. Kosova ka nevojë për një qasje tjetër racionale, e cila nuk është e bazuar në populizëm por racionalitet politik”, shtoi Krasniqi.

Përkitazi me këtë, kryetari i PDK-së nuk bëri të ditur nëse kryetarët e dy komunave veriore nga radhët e tyre do të japin dorëheqje për shtensionimin e situatës në veri.

Megjithatë, ai tha se ata do t’i marrin vendimet e duhura në konsultim me partinë dhe koordinim me aleatët ndërkombëtar.

Krasniqi: Dy kryetarët e PDK-së në veri do t’i marrin vendimet e duhura në koordinim me ndërkombëtarët

“S’dua të paragjykoj cila është zgjidhja përpara, por ashtu siç dy kryetarët nga radhët e PDK-së, ai Zveçanit dhe Zubin Potokut kanë pasur një rol racional dhe konstruktiv në shtensionimin e situatës, duke vazhduar me bërë detyrën e tyre dhe ofruar shërbime të limituara që munden me ofruar. Andaj unë besoj se edhe në hapat e ardhshëm do të kenë atë mënyrë. Por ata hapa do t’i koordinojmë me partnerët ndërkombëtar. Unë ia kam bërë të qartë kryeministrit dhe presidentes se nuk kanë mandat me fol për mandatet e atyre kryetarëve, pasi mandatet janë të tyre dhe në konsultim me ta ne do të marrim vendimet e duhura për t’i dhënë Kosovës një rrugëtim përpara”, theksoi kryetari i PDK-së.

Ftesën për takim të presidentes Osmani e ka refuzuar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Në ftesat që presidentja Osmani i ka dërguar partive opozitare, theksohet se e njëjta e ka marrë këtë iniciativë bazuar në letrën që ka marrë nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

/TV Malisheva 

Share.