Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po heziton për zgjedhje të jashtëzakonshme, meqë thotë se e di se s’mund të marrë përqindje të votave aq sa ka marrë herën e kaluar.

I pyetur se pse nuk po e rrëzojnë Qeverinë Kurti, Krasniqi ka thënë se mundësitë ligjore e kushtetuese nuk janë të lehta për ta shkarkuar kryeministrin.

“Do të kisha dëshirë që të ishte kaq e lehtë. Në kuptimin formal, ne nuk kemi mundësi ligjore, kushtetuese të lehta me e shkarku nga pozita e kryeministrit…Unë i kam thanë kryeministrit nëse ti mendon që hala të dojnë njerëzit, hajde dalim në zgjedhje…Por, ai e di që as nuk mundet me iu afru shifrave që i ka marrë në të kaluarën”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për lajmi.net.

Krasniqi ka thënë se Kurti është “mjeshtër, kampion dhe i pakonkurrencë” në propagandë.

“Kryeministri është pa asnjë hezitim e them, nëse ka diçka që është mjeshtër, është kampion dhe i pakonkurrencë, është propaganda. Për atë askush s’mund ta konkurojmë, askush në skenën politike, as tash as në të kalumen për propagandë e mashtrim s’muj e kalon”, ka deklaruar Krasniqi.

Duke folur për anulimin e tenderit për furnizim me tekste shkollore, Krasniqi ka thënë se Qeveria Kurti e ka shkatërruar praktikën më të mirë që ishte instaluar që nga shpallja e pavarësisë.

“Për mua ka qenë e paparamendueshme, që dikush mund të vijë në pushtet dhe një prej praktikave më të mira që e kemi instalu që prej shpalljes së pavarësisë, furnizimin me libra për nxënësit, edhe me e shkatërru pa asnjë arsye e argument”, ka thënë Krasniqi.

/TV Malisheva

Share.