Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, sot në mbledhjen e rregullt të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ka thënë se “duke u bazuar në të gjitha raportet e sigurisë së përgjithshme, Komuna e Malishevës, konsiderohet dhe është komuna më e qetë dhe më stabile në vend”.

Kjo është konfirmuar edhe nga ana e komandantit të stacionit policor në Malishevë, kapitenit Azem Krasniqi, i cili tha se “Komuna e Malishevës është komuna më e sigurt në aspektin e sigurisë së përgjithshme dhe nuk ka tendencë të prishjes së kësaj situate”.

Përndryshe në mbledhjen e sotme të rregullt të KKSB-së, është diskutuar për çështje të ndryshme, që lidhen me sigurinë në përgjithësi, ndërsa u bë e ditur, se situata me ethe hemorragjike është nën kontrollë dhe nuk kemi asnjë rast të infektimit me EHKK. Po ashtu, edhe pse ka tendencë të rritjes së rasteve me Covid-19, situata është nën kontrollë, kurse nënkryetari Krasniqi, ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat anti-covid.

Drejtori komunal për emergjenca, Shqipron Shala, ka njoftuar se edhe me situata emergjente nuk ka probleme, por ju ka bërë thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes të shtuar në raport me zjarret dhe që të mos i djegin hamulloret, për shkak të rrezikut të lartë të përhapjes së zjarreve.

Sa i përket komuniteteve, sipas kryetarit të Komitetit për Komunitete, Amrush Helshani, komunitetet në Komunën e Malishevës, janë të integruar mirë në shoqëri, ndërsa edhe përkrahja e komunës, është e vazhdueshme për komunitetin RAE.

Në mesin e rekomandimeve të dala nga kjo mbledhje, ishte edhe ardhja dhe pritja e mërgimtarëve si dhe siguria në sezonin e organizmit të dasmave dhe ahengjeve që bëhen kryesisht gjatë verës. Sipas nënkryetarit të komunës, Vesel Krasniqi, komuna ka marrë disa masa, ku përfshihen ofrimi i shërbimeve të nevojshme administrative, pastaj shërbimet shëndetësore, do të ketë aktivitete kulturore, por edhe rekomandimet e anëtarëve të KKSB-së, do të përfshihen në masat tjera, që krahas pritjes së mirë, të mos ketë probleme.

Ndërsa sa i përket gjuajtjeve me armë, policia, i ka marrë të gjitha masat, por do të ketë edhe fushata vetëdijesimi për këtë dukuri, e cila realisht është në rënie, por këto duhet të ndalohen në tërësi, për shkak të rrezikut që paraqet gjuajtja me armë./TV Malisheva

Share.