Vendimi për anulimin e dasmave dhe ahengjeve, si dhe kufizimi i orarit të punës për gastronominë, ka bërë që komuniteti i bizneseve të kërkojë kompensimin e humbjeve gjatë kësaj periudhe.
Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat e reja anti-COVID i ka goditur edhe njëherë bizneset.
Krasniqi në një intervistë e quan të ngutshëm një vendim të tillë, teksa shton se nuk u morën parasysh kërkesat e tyre.
“Kërkesat tona kanë qenë që t’i mbulojnë humbjet. Humbjet duhet të mbulohen për ndalesat që bëhen. Duhet t’iu dalim në ndihmë punëtorëve dhe bizneseve kur shteti ua ndalon të drejtën e punës. Me Kushtetutë… punëtori ka të drejtë me punu dhe çdo ndalesë që ia bënë shteti duhet të afektojë me ndihmë financiare dhe nëse kjo nuk ndodhë, atëherë është ajo mungesa e komunikimit të shtetit me qytetarin e vet”, thotë ai.
Sipas tij, shtrëngimi i madh dhe i menjëhershëm i masave anti-COVID, nuk do të duhej të ndodhte me kaq nguti, pasi që fillimisht do të duhej që shteti të sigurohej që popullata është vaksinuar. Derisa thekson se dëmet e këtij vendimi janë të mëdha.
“Çdo veprim që merr qeveria do të duhej që paraprakisht të analizojmë për efektet dhe kundërefektet që jep një vendim i tillë. Në këtë rast, vendimi i shpejt që është marrë për ndalim i ka dëmtuar shumë bizneset, sepse bizneset filluan edhe falë ardhjes së diasporës, të gjenerojnë të hyra të mira që të mbulojnë shpenzimet për të cilat qeveria nuk iu ka dalë në ndihmë, as kjo e as ajo tjetra. Gjatë gjithë kohës së pandemisë, ndihma e qeverisë ka qenë shumë e vobektë si në aspektin financiar, ashtu edhe në aspektin e përkrahjes ligjore. Ky veprim i ka dëmtuar shumë bizneset”, thotë ai.
Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë vendimin për anulimin e dasmave dhe atë të kufizimit të orarit të punës për gastronominë, por që Krasniqi thotë se nuk është përfill kërkesa e tyre.
“Në kemi kërkuar që të shtyhet deri më 15 shtator në mënyrë që të mos vijë një bllokadë e shpejt. Ne jemi të vetëdijshëm për dëmet që i shkakton COVID-i, por do ët duhej që rregullat paraprakisht të analizohen, jo të bëhet hapje e plotë dhe tash mbyllje, sepse i dëmton bizneset shumë, por edhe punëtorët, të cilët janë angazhuar gjatë kësaj kohe. Ka pasur rritje të të punësuarve për këtë situatë dhe të gjithë tash do të largohen nga puna. Këta nuk kanë përkrahje financiare, sikurse nuk ka biznesi si rezultat i investimit që ka bërë, qoftë me mjetet që ka bërë për të blerë gjërat”, shprehet ai.
Krasniqi shtoi se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet shtetërore lidhur me kërkesat e tyre.
“Nuk kemi marrë asnjë përgjigje… I kemi kërkuar edhe ministrit të Shëndetësisë takim që të ketë shtyrje por nuk kemi mundur me e realizu. Edhe kryeministrit i kemi kërkuar që të shtyhet, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ta”, thotë Krasniqi.
Krahas mungesës së ndihmës financiare, kryetari i bordit të OAK-së, thotë se ka mungesë edhe të përkrahjes ligjore dhe të komunikimit të institucioneve me sektorin privat.
“Dëmet do të jenë me dhjetëra miliona, por edhe qindra-mijëra punëtorë do të mbesin pa punë, të cilët kanë qenë të punësuar si punëtorë sezonal dhe të cilëve iu është ndërprerë automatikisht puna për shkak të vendimit. Ne kemi kërkuar që shteti të ndajë buxhet dhe të ndihmojë bizneset që afektohen. Këtë nuk e ka bërë shteti dhe ky është dëm që u shkaktohet edhe biznesit por edhe shtetit”, shton ai.
Masat e reja anti-COVID kanë hyrë në fuqi më 20 gusht./TV Malisheva