Oda e Afarizmit të Kosovës ka mirëpritur miratimin e projektligjit nga qeveria për rritjen e pagës minimale në 250 euro, por kërkon që kjo pagë të jetë sektoriale dhe jo e përgjithshme.
Sa i përket aktivitetit ekonomikë në vend, kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi e cilëson se ka stagnim dhe mungesë të vullnetit qeveritar për përkrahjen e bizneseve në lehtësimin e të bërit biznes, për furnizime dhe investime.
Ndërsa, për mbështetjen e 800 mijë qytetarëve me nga 100 euro, kryetari Krasniqi vlerëson se 100 eurot ani se nuk janë të mjaftueshme për qytetarët, do të ishte e nevojshme të ndahen nga qeveria në formën e kuponave – bonave për blerje të prodhimeve vendore.
Kështu sipas Krasniqit, do të kontribuohet në mënyrë zinxhirore duke i dhënë një përkrahje prodhuesve vendor, si dhe ruajtjen dhe rritjen e të punësuarve.
“Ne duke analizuar edhe veprimet e shteteve të ndryshme, qoftë në rajon apo në Bashkimin Evropian, kemi kërkuar që kjo shumë rreth 100 milionë euro, të mos ndahet në paga apo në pensione te qytetarët, por kjo të bëhet në formë të bonave, meqenëse me këto bona të kenë mundësi qytetarët të blejnë produkte vendore. Në këtë mënyrë do të ndihmoheshin edhe qytetarët për blerje vetëm të produkteve dhe jo gjëra të tjera. Kështu do të ndihmoheshin edhe bizneset, si dhe punëtorët e sekorit privat ose prodhuesit tanë nga të cilët varen të hyrat e shtetit… Absolutisht nuk është e mjaftueshme, edhe shtetet e ndryshme gjatë gjithë kohës kanë reaguar në forma të ndryshme, në mënyrë që të ketë qarkullim më të madh të parave për qytetarët dhe bizneset dhe në këtë mënyrë bizneset të kenë mundësi t’i mbajnë punëtorët, por edhe qytetarët të mbijetojnë, marrë parasysh rritjen e çmimeve të mëdha që kanë ndodhur kohën e fundit”, thotë ai.
Për ta zbutur krizën të shkaktuar nga inflacioni i lartë dhe rritja e çmimeve, kryetari Krasniqi ka kërkuar nga qeveria ndryshimin e politikave fiskale.
“Lidhur me këtë, ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës, nga kryeministri Kurti që të ulet TVSh-ja në ushqim, nga 18 përqind në 5 përqind, ndërsa TVSh-ja në produkte esenciale nga 8 përqind të jetë për gjashtë muaj zero, në mënyrë që të ndihmohen bizneset, punëtorët dhe qytetarët që ta kalojnë sa më lehtë këtë kriza të madhe, sepse kemi të bëjmë me një inflacion shumë të madh, krahasuar me vitet e kaluara. Pra kemi rritje të inflacionit dhe rritje të çmimeve për naftë, për ushqime dhe nuk kemi rritje të pagave e as rritje të qarkullimit të shumica e bizneseve”, shprehet ai.
Ndëkrohë, Kuvendi të enjten, më 5 maj, do ta shqyrtojë projektligjin për pagën minimale. E krahas rritjes së pagës minimale në 250 euro neto, Krasniqi thotë se paga duhet të jetë e kategorizuar në bazë të profesioneve dhe shkollimit.
“Ne e përshëndesim dhe nuk jemi kundër rritjes së pagës minimale në 250 euro, por kemi menduar dhe mendojmë që në këtë drejtim do të duhej që paga minimale në ndahet në bazë të profesioneve dhe sektorëve të ndryshëm, ashtu siç është e ndarë në perëndim, në mënyrë që të mbrohen profesionët. Prandaj, paga minimale duhet të jetë sektoriale, jo e përgjithshme. Duhet të ketë pagë minimale pa profesion, për punëtorë me shkollë të mesme dhe me shkollë të lartë dhe në këtë mënyrë të bëhet kategorizimi. Por ajo që do të duhej me urgjencë, meqenëse ka rritje të buxhetit të shtetit si rezultat i rritjes së tatimeve dhe rritjes së çmimeve, të diskutohet për sigurimin shëndetësor dhe sigurimin në punë. Kjo do të ishte forma e mbrojtjes së punëtorëve dhe mbrojtja e qytetarëve”, thotë Krasniqi.
Sa i përket rritjes ekonomike, Krasniqi thotë se rritja ekonomike mbi 10 përqind në vitin 2021, nuk ka reflektuar në rritjen e punësimit dhe në mirëqenien e qytetarëve.
Teksa shton se mungesa e vullnetit të qeverisë e ka vështirësuar klimën e të bërit biznes.
“Çdo rritje është e mirëseardhur, edhe pse rritja ekonomike në vitin e kaluar ka ardhur si rezultat i një fluksi të madh të ardhjes së bashkatdhetarëve dhe rritjes së konsumit, megjithatë kjo rritje nuk po reflekton shumë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe të bizneseve. Është një shifër që kemi pasur edhe në vitet e kaluara, por që nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në rritje të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve, sepse krahas rritjes kemi edhe rritje të inflacionit… Kemi stagnim dhe mosvullnet të qeverisë dhe Ministrisë së Financave për përkrahje të bizneseve në lehtësimin e të bërit biznese për paga, për furnizime dhe investime. Dhe mungesa e vullnetit të qeverisë e ka vështirësuar klimën e të bërit biznes në Kosovë dhe do ta vështirësojë edhe më shumë duke marrë parasysh se kjo krizë siç po shihet nuk do të jetë afatshkurtër, por afatgjate”, thotë ai.
Rritja e çmimeve po i sfidon edhe bizneset në përmbushjen e kontratave me institucionet publike.
Sipas Krasniqit, disa biznese kanë filluar të bëjnë edhe padi ndaj institucioneve të shtetit, përkundër kërkesave të vazhdueshme nga Oda e Afarizmit që të rishikohen kontratat për furnizime.
Ai theksoi se bizneset e kanë të pamundur t’i furnizojnë me mallra ushtrinë, policinë dhe spitalet.
“Ne si Odë e Afarizmit kemi kërkuar edhe nga kryeministri dhe qeveria e Kosovës që të bëjë rishikimin e marrëveshjeve të mëhershme në mes të biznesit dhe institucioneve të shtetit për furnizim, qoftë për ushqim, dhe materialeve të ndryshme për komuna apo të qeverisë. Arsye kryesore është që me fillimin e pandemisë çmimet kanë ndryshuar dhe bizneset e kanë të pamundur t’i furnizojnë institucionet e Kosovës, spitalet, ushtrinë dhe policinë me ushqim dhe me pajisje të tjera me çmimet aktuale. Ne kemi kërkuar që të bëhet rishikimi, sepse të gjitha vendet kanë bërë rishikimin në bazë të ndryshimit të çmimeve. Kemi kërkuar nga qeveria, por nuk kemi përgjigje as në këtë drejtim. Thjesht Kosova po rrezikon të ketë ndërprerje të furnizimit me ushqim për spitalet, për ushtrinë për policinë për shkak të pamundësisë së bizneseve që t’i bëjë këto furnizime me çmime të njëjta si rezultat i ndryshimeve të mëdha. Disa biznese kanë filluar të bëjnë edhe padi ndaj shtetit për shkak të mos ndryshimeve edhe përkundër kërkesave.
Ne kemi kërkuar edhe takim urgjent, por jemi në pritje dhe nuk kemi marrë përgjigje ende të drejtpërdrejt”, thotë ai.
Ndër të tjera kreu i Odës ka ngritur edhe mungesën e komunikimit të qeverisë me bizneset, për çka thotë se ka një stagnim.
Për këtë ai kërkon me urgjencë nga qeveria krijimin e një oferte dhe strategjie për bizneset.
Javë në parë, qeveria mori vendim për dyfishim të asistencës sociale për muajin prill, 100 euro shtesë për të gjithë pensionmarrësit për muajin prill, 100 euro për 300 mijë punëtorët e sektorit privat, 100 euro për 80 mijë punëtorët e sektorit publik dhe 100 euro për 80 mijë studentët.
Deri tash këto mjete nuk janë shpërndarë për punëtorët e sektorit privat dhe studentët. /TV Malisheva