Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier.
“Ambasadorit Hovenier i shpreha edhe një herë qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat tona në raport me propozimin evropian tashmë të pranuar nga Kryeministri Kurti. Për ne, kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe një mundësi e humbur për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe me njohjen e ndërsjellë në qendër”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
“Përkundër mbështetjes që PDK i ka dhënë Kryeministrit Kurti për dy vjet me radhë në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë, përmes gabimeve e veprimeve kryeneqe dhe në shpërputhje me kontekstin politik, ai ka dështuar që të arrijë përmbushjen e qëllimeve shtetërore të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Krasniqi e ka falënderuar ambasadorin Hovenier për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe e ka siguruar atë që PDK gjithmonë do të veprojë në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar të Kosovës./TV Malisheva