Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka bërë homazhe në Prekaz, prej ku ka kujtuar jetën dhe veprën e të gjithë atyre që dhanë gjakun për lirinë e vendit si dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në Hagë.

Krasniqi ka uruar 15-vjetorin e pavarësisë nga Prekazi historik, duke thënë se pikërisht aty i ka rrënjët liria e Kosovës.

Krasniqi: Liria e Kosovës i ka rrënjët në Prekaz

“Jemi sot në ditën më të shënuar të popullit të Kosovës, në ditën e pavarësisë të shtetit tonë, në Prekaz, pikërisht në Kompleksin Memorial të familjes Jashari, sepse liria dhe pavarësia jonë kuptimin e plotë e merr pikërisht këtu, në vendin ku i ka rrënjët liria e Kosovës. Sot dhe çdo herë, i kujtojmë me epietet të gjithë dëshmorët e luftës të UÇK-së, të gjithë invalidët, veteranët, dhe të gjithë njerëzit që kanë sakrifikuar në rrugën e lirisë sonë”, tha ai.

Ai kujtoi edhe ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, për të cilët tha se i mungojnë Kosovës veçanërisht në ditë të shënuara si kjo.

Krasniqi: Na mungojnë ish-krerët e UÇK-së, por janë në zemrat tona gjithmonë

“Padyshim në këtë ditë të madhe na mungojnë themeluesit dhe udhëheqësit e UÇK-së, në mënyrë të veçantë Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe të tjerët, që sot edhe pse fizikisht i kemi larg, duke u ballafaquar me betejën e fundit të luftës sonë të lavdishme, me të vërtetë i kemi në zemër çdo moment. Gëzuar ditën e pavarësisë të gjithë qytetarëve të Kosovës, e paqim Kosovën tonë për jetë dhe mot”, tha Krasniqi.

/TV Malisheva

Share.