Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Malishevës, Alban Krasniqi, pasditen e sotme ka vizituar edhe dy klubet sportive të futbollit KFF Malisheva dhe FC Malisheva, shkruan TV Malisheva.
Krasniqi përmes një shkrimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka zbuluar edhe disa nga prioritetet për qeverisjen e tij katër vjeçare.
“Ndërtimi i stadiumit të ri të futbollit. Ndihma materiale dhe financiare për organizatat dhe klubet sportive. Në bashkëpunim me bizneset gjetja e sponsorëve që ndihmojnë financiarisht klubet tona sportive. Ndërtimi i terreneve të reja sportive, fushave multifunksionale. Mbështetja e klubeve sportive për pjesëmarrje në gara kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndarja e çmimeve vjetore për sportistët e dalluar”, ka treguar Krasniqi.
Ky është shkrimi i Krasniqit:
Pasditen e sotme vizitova dy klubet sportive të futbollit KFF Misheva dhe FC Malisheva të cilat me sukseset e treguara jo vetëm që janë bërë storie suksesi, por këto dy klube janë bërë krenari e komunës tonë.
Fillimisht takova trajnerin dhe futbollistet e KFF Malisheva që në ato çaste po zhvillonin stervitjen e tyre të zakonshme. Së bashku me trajnerin e klubit z. Valmir Krasniqi diskutuam për sukseset e klubit të cilat janë të jashtëzakonshme si në ligë po ashtu edhe në arenen ndërkombëtare ku futbollistet e klubit janë reprezentuese edhe të përfaqsueses tonë e që brenda pak ditëve do të përballen në ndeshjet kualifikuese. Valmiri me njoftoi po ashtu edhe për sfidat dhe problemet me të cilat bsllafaqohet ky klub, duke filluar nga vështirësitë financiare, infrastrukturore dhe kushte tjera më të favorshme që do të përmirsonin edhe më shumë sukseset e klubit.
Më pas takova edhe trajnerin, një pjesë të stafit menaxherial dhe futbollistët e klubit FC Malisheva që po korrin suksese të jashtëzakonshme edhe në superligë. Aktualisht klubi menaxhohet nga pronari i kompanisë “Patroni” me pronar z. Driton Morina i cili është president i klubit dhe nga bordi drejtues i klubit një pjesë e të cilëve pata rastin ti takoj e të bashkëbisedojmë për sukseset, sfidat dhe problemet me të cilat balkafaqohet aktualisht klubi dhe që falë punës me plotë pasion e përkushtim edhe përkundër shumë sfidave e vështirësive ia kanë dalë që klubin tonë të zemres ta ngrejnë në majet më të larta të suksesit në vendin tonë.
Me trajnerin e klubit z. Arsim Thaçi dhe drejtorin e përgjithshëm Kastriot Kafexholli diskutuam se cili do të jetë roli ynë në të ardhmen që si qeverisje komunale të ndihmojmë klubet sportive dhe të zhvillojmë sportin në përgjithësi në komunën tonë.
Prioritetet tona gjatë qeverisjes katër vjeçare do të jenë:
- Ndërtimi i stadiumit të ri të futbollit
- Ndihma materiale dhe financiare për organizatat dhe klubet sportive
- Në bashkëpunim me bizneset gjetja e sponsorëve që ndihmojnë financiarisht klubet tona sportive
- Ndërtimi i terreneve të reja sportive, fushave multifunksionale
- Mbështetja e klubeve sportive për pjesëmarrje në gara kombëtare dhe ndërkombëtare
- Ndarja e çmimeve vjetore për sportistët e dalluar. /TV Malisheva