Jeni në karantinë me të gjithë familjen dhe sapo mbaron një vakt, mendoni për tjetrin apo jo? Epo, është situatë e ngjashme për të gjitha amvisat në këto kohë. Meqenëse është e diel, po ju prezantojmë një recetë të thjeshtë, që mund ta përgatitni më fëmijët për paradarkën ose edhe darkën e lehtë.
Pasi ta keni mësuar recetën bazë, çdo javë do t’i keni krepat me limon në tavolinë.
Përbërësit:
1 e 1/2 gota qumësht
4 vezë të mëdha
1 filxhan miell
3 lugë gjalpë pa kripë, i shkrirë (edhe pak për të lyer tiganin)
1/4 lugë çaji kripë
2 lugë çaji lëng limoni, si dhe disa feta limoni
1/2 filxhan dhe 1 lugë gjelle sheqer
1 filxhan gjizë e ëmbël ose pa kripë
1 lugë gjelle mjaltë, si dhe përbërës të tjerë sipas dëshirës për t’i shoqëruar
Përgatitja:
1. Në një blender, përziej qumështin, vezët, miellin, gjalpin, kripën, lëngun e limonit dhe 1 lugë gjelle sheqer. Përzieji për një minutë derisa masa të fillojë të shkumëzohet. Lëre në frigorifer për të paktën 30 minuta, por mund ta lësh edhe një ditë të tërë.
2. Në një tigan më madhësi mesatare, vlo fillimisht 1/2 gotë ujë bashkë me 1/2 filxhan sheqer. Lëre në zjarr derisa sheqeri të jetë shkrirë. Shto fetat e limonit dhe lëri të ziejnë 5 deri në 7 minuta. Më pas lëre të ftohet.
3. Lyeje tiganin gjysmë të nxehtë me gjalpë dhe lëre të ngrohet në temperaturë më të lartë. Shto 1/4 filxhan brumë duke e rrotulluar mbi tigan derisa të mbulosh plotësisht fundin e tij. Lëre të piqet për 2-3 minuta derisa të marrë një ngjyrë të artë në kafe. Liroji anët e krepit lehtësisht me një lugë druri ose plastike, por jo alumini, dhe ktheje nga ana tjetër. Lëre të piqet edhe për 2 minuta të tjera. (Mos u zhgënje nëse krepi i parë nuk qëllon i mirë, me të tjerët do ta kesh më të lehtë.)
4. Në një tas të vogël, përziej lëngun e limonit, gjizën (e ëmbël, pa kripë) dhe mjaltin. Duke e ndarë në mënyrë të barabartë, përhape përzierjen në të gjithë krepat (rreth 1 lugë gjelle secili) dhe rrotulloji. Shërbeji me feta limoni ose me mjaltë shtesë. Ju bëftë mirë!/ Tv Malisheva