Kryeministri, Albin Kurti, ka bërë homazhe para arkivolit me trupin e këngëtarit Ismet Bogujevci, të vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar.

Kurti shpalosi kujtime nga fëmijëria dhe admirimin që kishte për këngëtarin Bogujevci.

Ai tha se si fëmijë, teksa ndiqnin programin e vitit të ri në televizion, i prisnin me një mosdurim  të gëzueshëm këngët e Ismet Bogujevcit dhe të Riza Bytyqit.

“Në vegjëli, se çka është martesa e mësuam prej prindërve, por edhe prej këngës ‘Martesa jonë’ të Ismet Bogujevcit. Edhe sot e kësaj dite kur e dëgjoj fjalën Kaçanik më ushtojnë veshët për shkak të vargut ‘ushton Gryka e Kaçanikut” të kënduar nga Ismet Bogujevci. E për Tefik Çangën, shumë kohë para se ta marrë vesh se është emri i një fabrike të drurit në Ferizaj, dhe i një partizani të Luftës së Dytë Botërore, kam ditur ta këndoj ngapak duke e imituar Ismet Bogujevcin”.

Ai theksoi se këngëtari Bogujevci ishte njeri tejet i mirë dhe i dashur.

“Ashtu siç do të na mungojë fizikisht dhe do të kemi mall për të shumë kohë të gjatë, njëashtu edhe kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë”.

Këngëtari i njohur i këngës popullore shqipe, Bogujevci, u nda nga jeta një ditë më parë.

Homazhe kanë bërë edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, deputetja Saranda Bogujevci, shumë bashkëpunëtorë e familjarë.

I gjithë ky aktivitet është organizuar nga ministria ë Kulturës, në bashkëpunim me ansamblin “Shota”.

Fillimisht është bërë parakalimi i funeralit përmes sheshit “Zahir Pajaziti” deri në Teatrin Kombëtar për të vazhduar më pas edhe me ceremoninë zyrtare të homazheve./TV Malisheva

 

Share.