Kryetari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit në Shqipëri, Alket Hyseni ka lexuar raportin me gjetjet dhe shkeljet e Kushtetutës që supozohet se i ka kryer Ilir Meta gjatë kohës së zgjedhjeve.
Gjatë fjalimit të tij, Hyseni tha se Meta ka kryer shkelje të rënda, ka nxitur dhunë dhe ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë me veprimet e tij të njëanshme.
“Për shkak të volumit të madh, raporti i është dërguar deputetëve, presidentit dhe është publikuar në faqen e parlamentit. Në Kuvendin e Shqipërisë është dërguar kërkesa e 49 deputetëve për shkarkimin e presidentit. Kryetari i Kuvendit vuri në dijeni Kuvendin dhe Presidentin për kërkesën si dhe i përcolli Komisionit dokumentet shoqëruese. Komisioni për Çështjet Ligjore vlerësoi nëse ai është në dispozitë me kërkesat ligjore në fuqi dhe vendosi ngritjen e një Komisioni Hetimor“, deklaroi ai.
Tutje, Hyseni tha se Komisioni u bazua në fakte dhe rrethana, të cilat janë shënuar edhe në raport.
“Presidenti me veprimet e tij ka shkelur shumë nene të kushtetutës, të cilat konsiderohen si shkelje të rënda. Sjelljet e presidentit kanë pasur një ndikim shumë të keq në opinionin publik dhe në politikë”, deklaroi ai tutje. /TV Malisheva