Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus denoncoi dje diplomacinë e vaksinave në të cilën ai sheh “manovra gjeopolitike, që vetëm vonojnë përfundimin e pandemisë.
“E vetmja zgjedhje, që duhet për t’i dhënë fund kësaj pandemie, është bashkëpunimi”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së.
“Diplomacia e tanishme e vaksinave nuk është bashkëpunim, është manovër gjeopolitike”, akuzoi ai.
“Ne nuk mund ta mposhtim këtë virus duke konkurruar me njëri-tjetrin. Nëse garojmë për burime ose për përparësi gjeopolitike, atëherë është virusi ai që përfiton“, këmbënguli Tedros.
Tedros vuri në dukje se vetëm gjatë javës së kaluar, pandemia ka vrarë pothuajse 90 000 persona të tjerë dhe ka infektuar rreth 5,4 milionë.
Gjatë konferencës së tij dyjavore për shtyp, ai paralajmëroi kundër çdo vetëkënaqësie në rajone ku gjendja shëndetësore po përmirësohet, por mbetet “në një pllajë në një nivel të papranueshëm”./TV Malisheva