Me finalizimin e Udhëzimit Administrativ për zgjedhjet në veri kanë filluar edhe kritikat ndaj këtij dokumenti qeveritar, i cili pritet t`i hap rrugë largimit të kryetarëve aktual në katër komunat veriore.

Pavarësisht rëndësisë së këtij udhëzimi, shoqëria civile ka vlerësuar se procesi i hartimit të tij është përcjellë me mungesë të transparencës dhe mosrespektim të procedurave ligjore. Madje, janë shprehur pakënaqësi edhe për përmbajtjen e tij.

Hulumtues i Lartë IKD-së, Naim Jakaj, ka thënë për gazetën Nacionale se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk i ka respektuar disa procedura për hartimin e këtij dokumenti.

“Së pari, duhet theksuar se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka respektuar Rregulloren për Standardet Minimale të Konsultimit Publik, duke lënë vetëm për tre (3) ditë në Platformën Online, Udhëzimin Administrativ për Iniciativën e Qytetarëve për Largimin e Kryetarit të Komunës nga Funksioni. Rregullorja i obligon organet propozuese që t’u mundësojnë publikut dhe palëve kohë të mjaftueshme për t’i dërguar komentet gjë që në këtë rast MAPL nuk e ka bërë. Udhëzimi do të duhej të ishte i qasshëm për t’u komentuar jo më pak se pesëmbëdhjetë (15) ditë pune, nga data e njoftimit për hapjen e konsultimit me shkrim”, ka thënë ai.

Hulumtuesi i IKD-së ka përmendur edhe detaje tjera në procesin e hartimit të këtij dokumenti.

“Ligji për Vetëqeverisje Lokale përcakton vetëm të drejtën që ka të bëjë me inicimin e procedurës për largimin e kryetarit të ndonjë komune të Kosovës, por jo edhe procedurën se si realizohet kjo e drejtë. Kështu, realizimi i kësaj të drejte tërheq pas vetes nevojën për miratimin e një akti nënligjor. Kjo nuk është bërë për më shumë se 15 vite që nga miratimi i Ligjit për Vetqeverisje Lokale. Përpilimi i një dokumenti të tillë vjen në kohën kur Kosovës është duke i’u kërkuar me ngulm nga Bashkimi Evropian (BE) të shpallë zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit”, është shprehur ai.

Megjithatë, ai e ka vlerësuar se gjë pozitive nxjerrjen e këtij udhëzimi.

“Sidoqoftë, është pozitive që ka një iniciativë për miratimin e procedurave që do t’ua lehtësonte dhe mundësonte qytetarëve shprehjen e vullnetit të tyre. UA jep mundësinë që një individ ose grup qytetarësh të inicojnë nisjen e nënshkrimeve për ta organiuar votimin e largimit të Kryetarit nga funksioni. UA jep një afat prej 30 ditëve për marrjen e nënshkrimeve dhe një afat shtesë prej 15 ditëve për marrjen e nënshkrimeve shtesë në rast se nuk përmbushet numri prej 20% të votuesve të regjistruar”, është shprehur ai, duke shtuar se kufizimi i afatit mund të sjell problem.

“Në lidhje me këtë, IKD vlerëson se kufizimi i afatit fillestar prej 30 ditëve është shumë i shkurtër për organizimin dhe marrjen e nënshkrimeve në mënyrë që të plotësohet kushti i parë procedural. Psh. në komunat siç është Prishtina që sipas numrit të fundit të votuesve të regjistruar, për të arritur 20% të votuesve kërkohen afërsisht 39 mijë votues që duhet të nënshkruajnë, për Mitrovicën e Jugut 15 mijë votues nënshkrues, për Prizrenin 34 mijë votues nënshkrues etj. Kështu, ky kufizim i afatit potencialisht mund ta bëjë të pamundur marrjen e nënshkrimeve duke pasur parasysh që për organizimin e këtij aktiviteti”, ka vlerësuar Jakaj.

Ndër të tjera, ai ka bërë me dije se ky udhëzim nuk është i mjaftueshëm për realizimin e peticionit.

“Në anën tjetër, duhet theksuar se UA është i pamjaftueshëm për organizimin në plotëni të peticionit ngase ky UA skicon vetëm rrugën deri në inicimin e procedurës për shkarkimin e kryetarëve. Në mënyrë që të zbatohet në plotëni e drejta e qytetarëve për shkarkimin e një kryetari të komunës, përtej iniciativë, nevojitet edhe miratimi i aktit nënligjor nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. KQZ nuk ka njoftuar nëse është duke e bërë këtë ose jo”, ka thënë Jakaj.

KDI thotë se udhëzimi tejkalon ligjin
Edhe më i kritike ndaj udhëzimit ka qenë Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Ky institut ka bërë me dije se drafti i udhëzimit shkon përtej ligjit.

“KDI edhe më parë kishte vënë theksin tek rëndësia që udhëzimi administrativ të jetë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore. Megjithatë, vlerësojmë që drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale. Në njërën anë, MAPL-ja ka përcaktuar procedura, afate dhe obligime në kuadër të iniciativës që shkojnë përtej ligjit, e në anën tjetër, nuk ka adresuar paqartësitë në zbatimin e dispozitave në fuqi”, është thënë në reagimin e KDI-së.

KDI ka treguar në detaje problemet e udhëzimit administrativ.

“Specifikisht, udhëzimi kundërligjshëm përcakton një afat prej 30 ditësh për mbledhjen e nënshkrimeve, gjë që ua kufizon qytetarëve vullnetin për ushtrimin e një të drejte ligjore, si dhe paradoksalisht përcakton afat shtesë për plotësimin e kërkesës me nënshkrime të reja, nëse nuk arrihet kriteri prej 20% të votuesve të regjistruar. Në anën tjetër, udhëzimi nuk ka precizuar se cila listë e votuesve do të merret për bazë në inicimin e kërkesës dhe zhvillimin e procesit të votimit”, ka vlerësuar KDI.

Sipas institutit, udhëzimi është i pamjaftueshëm për largimin e kryetarëve.

“Prandaj, në këto rrethana, KDI rithekson që udhëzimi administrativ, përveç se në kundërshtim me ligjin, është i pamjaftueshëm për të mundësuar largimin e kryetarëve të komunave. Për zhvillimin adekuat të këtij procesi, është i domosdoshëm miratimi i legjislacionit përkatës sekondar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kësisoj, KDI i konsideron dorëheqjet e kryetarëve aktualë të komunave veriore, si zgjidhjen më efikase për tejkalimin e situatës dhe zgjedhjen e institucioneve të reja legjitime”, ka vlerësuar instituti.

Institucionet e Kosovës i kanë mbështetje mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Ato kanë vlerësuar se mënyra më e mirë për mbajtjen e zgjedhjet atje është largimi i kryetarëve aktual përmes iniciativës së 20% të qytetarëve.

Për të realizuar këtë proces, në fillim të muajit, MAPL-ja ka filluar hartimin e këtij udhëzimi administrativ, një draft i të cilit në media është publikuar sot.

/TV Malisheva

Share.